Arkiva si “armik”, Kurti në 2014: Me VV-në, TVSH-ja për gjërat bazë do të bëhet zero

Prishtinë | 01 Kor 2022 | 12:13 | Nga Ekonomia Online

Nëpër qytete të ndryshme të Kosovës është raportuar se çmimi për një bukë ka shkuar në 60 centë, derisa pa u shtrenjtuar s’kanë mbetur as produktet tjera bazë. Derisa sipas shifrave zyrtare të publikuara nga institucione kredibile ndërkombëtare, shkalla e inflacionit në vend ka prekur 10 %.

Megjithatë përballë një situate të tillë, Qeveria e Kosovës s’ka ndërmarrë kurrfarë veprimi apo vendimi që do të lehtësonte gjendjen. I vetmi vendim që është marrë është ai për vendosjen e një çmimi tavan për karburantet, derisa refuzojnë uljen e TVSH-së apo akcizës.

Debat për këtë çështje është bërë dje edhe në Kuvendin e Kosovës me kërkesën e Lidhjes Demokratike të Kosovës, të cilët kanë propozuar edhe një rezolutë në bazë të së cilës do të ulej akciza për derivatet dhe do të zgjerohej lista e produkteve esenciale me normë të reduktuar të TVSH-së.

Një rezolutë e tillë i është dukur e papërfillshme kreut të Qeverisë, i cili gjithë kërkesën e LDK-së e kishte reduktuar në kohën e specifikuar në Rezolutë, pra që vendimet për ulje akcize e TVSH-je të merreshin për tre muaj dhe pastaj të shikohej mundësia e vazhdimit.

Edhe Ableard Tahiri, shef i deputetëve të PDK-së ka deklaruar dje në Kuvend se bazuar në gjendjen aktuale, TVSH-ja për produktet esenciale duhet të hiqet krejtësisht për 6 muajt e ardhshëm.

“Opozita para se me kritiku ka ofruar edhe alternativë. PDK e ka sjell projektligjin për tatimin mbi vlerën e shtuar ku kemi propozuar që TVSH-ja në produktet esenciale ushqimore të zbritet nga 18 në 8 përqind. Sot mendojmë që TVSH-ja për produktet esenciale ushqimore duhet të hiqet krejtësisht për gjashtë muajt e ardhshëm”, ka thënë dje Abelard Tahiri, shkruan Express.

Por çfarë kishte thënë kryeministri kur kishte qenë opozitar. Kurti në vitin 2014 kishte thënë se TVSH-ja për gjërat elementare ushqimore do të bëhej zero, premtim ky që shkon përtej kërkesës në Rezolutën e djeshme të LDK-së, meqë LDK-ja kërkonte zgjerim të listës se produkteve esenciale me TVSH të reduktuar, derisa Kurti kishte thënë se TVSH-ja për produktet bazë do të bëhej zero.

Në premtimin e tij prej opozitari, Kurti kishte premtuar se çmimi i bukës do të ishte 36 centë, sheqeri 62 centë, qumështi 78 centë.

Kurti si opozitar thoshte se do që nevojave elementare t’ua heq TVSH-në, derisa luksi të shtrenjtohet.

“TVSH bëhet zero për gjërat elementare ushqimore edhe buka me Lëvizjen Vetëvendosje në qeverisje, nga 36 cent që është mesatarja e çmimeve për muajin shkurt të vitit 2014 bëhet 31 cent, sheqeri nga 72 cent kilogrami bëhet 62 cent, qumështi nga 91 cent mesatarisht bëhet 78 cent, vaji nga 1 euro e 23 cent bëhet 1 euro e 6 cent sepse ne duam që nevojave elementare tua heqim TVSH’ne dhe t’i lirojmë ndërkaq luksi që i korrespondon regjistrit të dëshirave ai të shtrenjtohet”, kishte thënë Kurti gjatë një interviste televizive.

Të ngjashme