20 mijë euro për restaurimin e Urës së Gurit në Vushtrri

Prishtinë | 18 Qer 2017 | 10:59 | Nga

Ministria e Kulturës ka dhënë 20 mijë e 358 euro për restaurimin e Urës së Gurit në Vushtrri. Objekti mesjetar i Urës së Gurit në Vushtrri do të restaurohet me 20 mijë e 358 euro të dhëna nga Ministria e Kulturës.

Paratë për restaurimin e urës janë kërkuar nga Instituti i Kosovës për Mbrojtje të Monumenteve (IKMM), ndërsa ura do të restaurohet me mbështetjen financiare të Departamentit të Trashëgimisë Kulturore brenda Ministrisë së Kulturës.

Drejtoresha e Departamentit për Trashëgimi Kulturore, Vjollca Aliu për KALLXO.com tha se ura do të restaurohet në pajtim me ligjin dhe aktivitetet konservuese.

“Departamenti i Trashëgimisë Kulturore në përputhje me kërkesën e IKMM-së, mbështet financiarisht projektin në vlerë prej 20.358 euro kurse implementimin e bën IKMM, në zbatim të dispozitave ligjore të Ligjit për Trashëgimi Kulturore dhe Vendimit të MKRS-së për Aktivitete Konservuese-Restauruese”, tha Aliu.

Drejtoresha Aliu tregoi se projekti i Institutitit të Kosovës për Mbrojtje të Monumenteve (IKMM) për Urën e Gurit në Vushtrri do të fillojë javën që vjen.

“Departamenti i Trashëgimisë Kulturore në MKRS ka kërkuar nga Instituti i Kosovës për Mbrojtje të Monumenteve të hartojë projektin për ndërmarrjen e masave preventive dhe të tjera të nevojshme për konsolidimin e gjendjes së urës. Tani me kemi pranuar projektin e tyre dhe i njëjti do të fillojë zbatimin nga java e ardhshme”, deklaroi Aliu për KALLXO.com.

Ura e Vjetër e Gurit në Vushtrri që sipas Ministrisë së Kulturës është ndërtuar në shekullin XIV, edhe pse është nën mbrojtje të përhershme, u dëmtua në shkurt të këtij viti.

Atëherë urës iu shkëputën 36 blloqe gurësh, ndërsa për këtë dëmtim shkroi KALLXO.com.

Drejtoresha Aliu tha se Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve të Kosovës ka dhënë arsyet pse një pjesë e urës u shemb.

“Raporti i Institutit të Kosovës për Mbrojtje të Monumenteve ( IKMM) konstaton se rrëzimi i parmakëve të gurit bashkë me bazamentet e tij (meqë raportet dhe hulumtimet, analizat dhe studimet e shkaktarëve të rrëzimit mungojnë) ka ardhë si pasojë e erozionit të vazhdueshëm dhe mosrikonstruimit për një periudhe të gjatë kohore”, tha Aliu.

Por ajo bëri të ditur se edhe pjesë të tjera të urës janë të dëmtuara.

“Jo vetëm pjesa e parmakëve të rrënuar në gjatësi prej 19,60 metra, por edhe pjesë tjera të urës duke përfshirë edhe parmakë tjerë përgjatë tërë gjatësisë së urës kanë dëmtime. Në vazhdim, potencojnë se janë shumë të dukshme dëmtimet e theksuara të pjesëve të dukshme të urës, një numër i madh i blloqeve të gurit janë të dëmtuar dhe të koroduar – si pasojë e proceseve të caktuara kimike, ndotjes së ajrit, dhe reshjeve acidike”, tregoi drejtoresha Vjollca Aliu.

Që nga dëmtimi i urës nuk ka pasur ndonjë ndërhyrje në këtë monument.

Ura kur u ndërtua shërbente për ta kaluar lumin Sitnica, por në shekullin XX ky lum devijoi rrjedhën e tij duke e lënë Urën e Gurit një urë pa lum dhe prandaj një vend potencialisht të vizitueshëm si atraksion turistik.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme