70 mijë euro për funksionimin e Teatrit të Gjilanit

Prishtinë | 18 Kor 2016 | 16:05 | Nga

Komiteti për Kulturë, Rini e Sport (KKRS), të hënën, i ka dhënë mbështetje kërkesës së Njësisë për Kulturë, Rini e Sport për ndarjen e një shume prej 70 mijë euro për Teatrin e Qytetit, si nevojë emergjente për funksionimin e këtij institucioni, i cili prej disa vitesh po përballet me probleme të tilla, shkaku i statusit të padefinuar.

Shpresa Kurteshi, kryesuese e KKRS, ka thënë se këto mjete janë të nevojshme për kompensimin e pagave të aktorëve për 6 muaj si dhe për financimin e tri shfaqjeve të planifkuara për këtë pjesë të dytë të vitit, përcjellë KultPlus.

Ajo ka thënë se KKRS i ka trajtuar rregullisht dhe me përkushtim të madh të gjitha problemet në Teatër dhe është shprehur optimiste se kërkesa për ndarjen e mjeteve, do të has në përkrahje edhe te Komitetit për Politikë dhe Financa si dhe në Kuvendin Komunal, ku merret vendimi përfundimtar.

Kujtim Shahiqi, udhëheqës i Sektorit për Kulturë, ka thënë se ky sektor po përballet me shumë probleme, duke shtuar se aktorët nuk kanë marrë paga për 6 muaj. Barrë tjetër në Teatër është edhe stafi teknik, që duhet të paguhet nga ky buxhet, meqë statusi i tyre është i padefinuar, ka thënë Shahiqi.

Bashkim Nexhipi, koordinator i Njësisë për Kulturë, Rini e Sport, ka thënë se nga shuma e mjeteve të kërkuar, 37.842 euro nevojiten për stafin e teatrit, ndërsa pjesa tjetër, për realizimin e tri projekteve, “Vdekja aksidentale e një anarkisti”, “Toc – Toc” dhe “Im at e donte Adolfin”.

“Nuk është këtu pyetja a mund të sigurohen këto mjete, sepse këto mjete duhet të sigurohen, ndryshe teatri nuk funksionon”, ka thënë Nexhipi.

Shpresa Hajdari, ish-drejtoreshë e Kulturës, ka thënë se gabimi ishte bërë atëherë kur Teatri u shkëput prej Kulturës dhe aktorët u hoqën nga lista e pagave si shërbyes civilë. Statusi i Teatrit dhe aktorëve duhet të zgjidhet njëherë e përgjithmonë, ndryshe ky institucion nuk mund të funksionojë siç duhet me subvencione.

Hajdari e ka vlerësuar të pakuptueshme që një aktor, i cili e ka kaluar një jetë të tërë në teatër, tani është i detyruar të hyjë në intervistë për punë në këtë institucion./KultPlus.com

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme