Aktorët në grevë, kërkojnë rroga sa të profesorëve të UP-së

Prishtinë | 16 Tet 2017 | 14:01 | Nga Valbona Bytyqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Shumica e aktorëve të Teatrit Kombëtar të Kosovës (TKK) do të hyjnë në grevë shkaku i rrogave të ulëta që ata marrin. Për këtë shkak shfaqja e cila ishte paraparë të luhej sonte, “Bordel Ballkan” nuk do të realizohet.

Ndërsa nga nesër Sindikata e Teatrit Kombëtar i ka dhënë ultimatum institucioneve 10 ditë për realizmin e kërkesave të tyre, raporton Ekonomia Online. Për grevën është njoftuar edhe ministri Kulturës Kujtim Gashi, përmes një letre.

Aktorët rezident pagën mujore e kanë 437 euro, përderisa po kërkojnë që paga të jetë sa e profesorëve të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”. Profesorët e rregullt në UP, pagën bazë e kanë  prej 1 150 euro.

Ismet Azemi, kryetar i Sindikatës ka thënë se paga që marrin është degradim për ansamblin e teatrit.

Ai ka thënë se i vjen keq për publikun që ka blerë biletat për shfaqjen e sotme që nuk do të shfaqet. Azemi pret që kërkesat e tyre të merren parasysh.

“Ne jemi të shtrënguar pa dashjen tonë që të bëjmë me dije institucioneve të shtetit tonë se gjendja në teatrin kombëtar të Kosovës sa i përket gjendjes materiale dhe sa i përket rrogës bazë të një aktori me nivel të lartë akademik unë mendoj se kjo rrogë e kemi thënë qe dy vjet është denigrim për ansamblin e teatrit kombëtar të Kosovës”.

“Uroj që vërtetë t’i marrin këto kërkesa tona me shpirt dhe të gjithë ata që drejtojnë botën tonë ta përjetojnë gjendjen tonë shpirtërore dhe materiale. Keq që publiku i cili ka nxjerr biletat sonte nuk do të mund ta sheh shfaqjen por aktorët gjithsesi do të jene me publikun. Sot kemi vendos që të anulohet shfaqja “Bordel” me i bë me dije institucionet se ky anulim është shumë serioz kjo do të ishte dashtë ne i bo me dije se ne që dy vjet ndoshta vullneti i mirë duhet të ketë fund duhet të merren vendime. Uroj që të dal një njeri të të respektoj vendimin tonë”.

Ndërsa nënkryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit Shkencës e Kulturës (SBAShK), Lufti Mani, tha se paga aktuale e aktorëve është e mjerueshme.

“Këta nuk po kërkojnë as më shumë as më pak por po kërkojnë sa e meritojnë. Teatri ka mundësi sepse nuk ka shumë punëtor. Ne apelojmë të institucionet ne si SBAShK kemi ardhur me i mbështet nuk kemi dëshirë që kjo grevë të përshkallëzohet”.

Aktori, i shfaqjes “Bordel Ballkan”, Ardian Morina, tha se kjo grevë është fatkeqësi e madhe. Ai madje pas 10 ditësh ka paralajmëruar edhe mas të tjera.

“Për një shfaqje që na kanë kërcënua na e kanë djeg postierin e kemi bërë të pamundur me realizuar dhe vjen në një pikë që e merr këtë vendim. Siç duket institucionet po i ndjekin vetëm komeditë dhe nuk po na marrin shumë serioz. Këta njerëz i kanë pru këta artistë në këtë nivel. Kjo është masa e parë, sonte nuk ka shfaqje, 10 ditë ka kohë mas 10 dite të mos harrojmë se greva nuk është forma e vetme”.

Kjo është hera e tretë që Shoqata Sindikale e Teatrit Kombëtar të Kosovës paralajmëron grevë. Atyre u ishte premtuar edhe kontratë kolektive.

Të ngjashme