Ansambli “Shotë Galica” nga Drenasi fiton çmimin “Mujë Krasniqi” në Klinë

Klinë | 09 Qer 2018 | 16:18 | Nga

Ka përfunduar Festivali Folklorik Mbarëkombëtar “I këndojmë Lirisë”, që u mbajt me 6, 7 dhe 8 qershor në Klinë. Çmimin kryesor “Mujë Krasniqi”, të edicionit të 18-të të këtij festivali, e ka fituar Ansambli i Këngëve dhe i Valleve “Shotë Galica” nga Drenasi.

Këtij ansambli, çmimin ua dorëzuan, Rifat Jashari, nga familja Jashari dhe Halil Krasniqi, babai i Komandant Mujë Krasniqit, transmeton Ekonomia Online.

“Ansambli i Drenasit ishte i kompletuar në të gjitha aspektet, me interpretimet e mrekullueshme të solistëve profesional. Rrjedhimisht nga spektatorët e shumtë morën duartrokitje të gjata, më se të meritueshme. Secila këngë, si për nga teksti dhe interpretimi ishte më e mirë se tjetra, që nga kënga për Isa Boletinin e deri te ajo për Mujë Krasniqin apo ajo “ Natën herët në mëngjes”  të duetit Bytyçi-Krasniqi”, thuhet në një komunikatë për medie nga ky festival.

Shaqir Hasi, udhëheqës i këtij ansambli thotë se është i kënaqur dhe ndjehet krenar që e kanë fituar çmimin Mujë Krasniqi.

“Diçka të veçantë kemi sjellë ne ketë festival, duke bërë përpunim të këngëve të teksteve për Mujë Krasniqin të marra nga baladat kushtuar Komandant Kapuçit qe janë të pa përsëritura deri më tash. Vetëm kënga Herët në mëngjes është e pa përpunuar”, shprehet Hasi.

Ndërkaq, vendin e dytë juria profesionale kishte vendosur që të ia ndajë AKV “Dëshmorët e Kombit” nga Kastrioti, të cilëve çmimin ua dorëzuan kryetari Komunës së Klinës, Zenun Elezaj dhe nënkryetari, Besim Hoti, kurse çmimin e tretë e ka marrë Ansambli Polifonik “Longjeria” nga Gjirokastra.

Çmimin e publikut e fitoi Shoqëria Kulturore Artistike “Malsori” e Gjonajt të Hasit. Juria profesionale, në përbërje prej Minire Fetahu, redaktore e muzikës në RTK, Burim Krasniqi, kompozitor-producent, Mehmet Xhemajli, Ma. i lëndës muzikore të harmonisë dhe Gjon Frroku, kantautor.

Nga 15 çmime, sa ndahen në këtë festival, juria ndau edhe çmimin e veteranit të festivalit, grupit më të kompletuar, interpretuesin e vallen më të mirë, instrumentistin më të mirë, valltarin e ansamblin më të kompletuar, si dhe çmime të tjera.

Festivali i sivjetmë ka zgjuar interesim të jashtëzakonshëm, si asnjëherë më parë. E vogël ishte hapësira për t’i zënë të gjithë që kishin ardhur për ta përcjell festivalin, ndaj edhe rrugët përballë hapësirës ku mbahej festivali ishin të mbushura me spektatorë.

Kryetari Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, i ka falënderuar të gjithë pjesëmarrësit në festival duke u dëshiruar pjesëmarrje të serishme edhe në festivalet e ardhshme.

“Ne si komunë e kemi mbështetur Festivalin Folklorik Mbarëkombëtar “I këndojmë Lirisë duke bërë të mundshme që festivali ta përmbush qëllimin, sepse festivali për Klinën është shumë domethënës, për karakterin dhe cilësinë duke u bërë tashmë tradicional dhe identifikues”, është shprehur kryetari Elezaj.

Edhe drejtuesit e tjerë të festivalit janë shprehur të kënaqur me rrjedhën e festivalit, pjesëmarrjen, mbarëvajtjen dhe pjesëmarrjen e grupeve, rapsodëve. Drejtori i festivalit Dibran Fylli, theksoi se janë të impresionuar me pjesëmarrjen, që sipas tij ishte e paparashikueshme, e bashkë me këtë edhe me numrin e grupeve që përformuan në këtë festival.

” Për tri netë me radhë në skenën e festivalit u ngjiten këngëtarë, valltarë e instrumentistë nga të gjitha trojet etnike, ku shpalosen vlerat e mirëfillta folklorike kombëtare”, u shpreh Fylli.

Po ashtu edhe zyrtarët komunal kanë dhënë vlerësimet e tyre, për organizimin dhe risitë që janë sjellë në këtë festival. Drejtori i Kulturës, i Kulturës dhe Sportit, ka theksuar se janë përpjekur që festivali të arrijë synimet, gjë që edhe është bërë.

“Sivjet ka pasur shumë risi, pos aktiviteteve të tjera kulturore e sportive, për tri netë ka qëndruar i hapur Panairi me prodhime vendore, i organizuar nga Drejtoria Komunale e Bujqësisë, si dhe është hapur Ekspozitë e Burim Dushit, me koleksione, nga të më vjetrat te arkeologjisë e lashtësisë”, ka thënë Merturi.

Gjatë tri netëve sa ka zgjatur festivali janë zhvilluar edhe gara sportive në shumë disiplina sportive, për meshkuj dhe femra, si në futboll, volejboll, basketboll, hendboll, pingpong, shah, e të tjera.

Në futboll vendin e parë e ka zënë ekipi El Trade, që e ka mundur ekipin B:C. Dibran Hasani me rezultat 3 :2, kurse në paralojë veteranët e UÇK-së kanë fituar kundër QKMF-së.

Rexhë Buqani, thekson se interesimi ka qenë i madh për të marr pjesë në turnirët e organizuar në të gjitha disiplinat. “Vetëm në futboll kanë marrë pjesë 29 ekipe, edhe në disiplinat tjera sportive ka pas interesim të theksuar. Vendi i parë në futboll ka marrë kupë , medalje e shpërblim në të holla. Edhe për ekipe të tjera janë ndarë mirënjohje”, ka thënë Buqani.

Të ngjashme