Artistët ndërprejnë grevën pas miratimit të rregullores në Qeveri, pagat me rritje nga 1 nëntori

Prishtinë | 13 Sht 2018 | 15:28 | Nga Mehmet Krasniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Shoqatat sindikale të Teatrit Kombëtar, Filarmonisë, Operës dhe Ansamblit “Shota” kanë ndërprerë grevën 9-ditore të nisur javën e kaluar, pas miratimit të Rregullores për Gradimin dhe Pagat e krijuesve dhe performuesve të kulturës dhe punonjësve profesionalë të trashëgimisë kulturore në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës, e cila ka qenë kërkesë e tyre.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, në një konferencë të përbashkët për medie me përfaqësuesit e shoqatave sindikale, ka thënë se rregullorja e miratuar nga qeveria adreson dhe u jep zgjidhje të dinjitetshme pagave të ulëta të artistëve, të cilat, sipas tij, janë identifikuar pengesë në zhvillimin e brezave të ardhshëm në kulturë, raporton Ekonomia Online.

“Me miratimin e saj kemi dhënë përgjigje meritore për sistematizimin e pagave, kemi krijuar parakushte për të arritur objektivat e MKRS-së. Jam i lumtur që në mbledhjen e qeverisë e kemi miratu si një proces i nisur në fillim të këtij viti”.

Gashi u shpreh se e kanë mirëkuptuar grevën, përkundër faktit se kanë qenë të sigurt se kjo kërkesë e tyre do të realizohej, derisa ka ftuar sindikatat që t’i kthehen punës.

“Ata do të kenë paga të dinjitetshme ashtu siç i kanë kërkuar. Me ditën e sotme kanë paga më të mira dhe më të dinjitetshme. Nga ky moment, i ftoj këto institucionet që kanë qenë në grevë që t’i kthehen punës, premierave dhe shfaqjeve. Ne do të jemi bashkë edhe kur kemi sfida edhe në ditë të mira si sot”.

Sipas ministrit Gashi, pagat me rritje do t’u dalin aktorëve nga 1 nëntori në mënyrë retroaktive nga qershori i këtij viti, pas tha se buxheti nuk e përballon pagesën retroaktive që nga janari i këtij viti.

Kjo pritet t’i kushtojë MKRS-së 350 mijë euro, raporton EO.

“Koha kur do të dalin me rritje është 1 nëntor. Pagat do të jenë retroaktive nga qershori i këtij viti, sepse nga janari është i pamundur për shkak se buxheti nuk është rishikuar. Kemi mjete që kanë mbetur nga disa projekte dhe nuk shohim ndonjë problem. Kalkulimet kanë qenë rreth 350 mijë euro për 6 muajt e vitit”.

Besnik Krasniqi, nga Ansambli “Shota”, i ka bërë thirrje komunitetit artistik që nga nesër të dalin në punë.

“Pas miratimit të Rregullores u dakorduam që, siç kemi thënë, kur të miratohet rregullorja ne shpalim grevën e pezulluar dhe thërrasim komunitetin që nga nesër të nisë punën me intensitet edhe më të lartë për të kompensuar ditët e humbura. Uroj komunitetin që ta gëzojë këtë punë”.

Ardian Morina, nga Teatri Kombëtar, ka thënë se i vjen mirë që nga nesër reportuari i tyre do të jetë në dispozicion për publikun.

“Jemi të lumtur, ka qenë shumë e rëndë hyrja në grevë, por ka qenë zgjidhja e fundit. MKRS na është idhnu pak, por me të drejtë, sepse kemi qenë bashkëpunues. Ndoshta greva nuk është mjeti i duhur. Më vjen mirë për publikun që prej nesër do të kthehet reportuari i rregullt. Kemi qenë të zhgënjyer edhe me qeveritë e kaluara, dhe ftoj koleget t’i kthehen aktiviteteve dhe falënderoj ministrin”.

Alban Beka nga Filarmonia e Kosovës ka falënderuar ministrinë për hartimin e kësaj rregulloreje.

“Falënderoj ministrin që kanë hartuar rregulloren. Shpresojmë dhe besojmë që nuk do të jetë afati i fundit që të rritet rroga. Do të vazhdojmë me aktivitetet e tjera”.

Të ngjashme