Burgosja e shkrimtarëve në Turqi, aty ku dhe humori është i rrezikshëm

Prishtinë | 12 Dhj 2016 | 22:50 | Nga Elif Shafak/New Yorker

Aslı Erdoğan, në foto, është një shkrimtare e burgosur turke. Turqia tanimë është vendi ku burgosen më së shumti gazetarë në botë-ndërsa forcat e heshtjes ka në mars vende të tjera në shumë vende.

Shkrimtari britaniko-hungarez Arthur Koestler, i lindur në Budapest në fillim të shekullit të kaluar u bë gjatë jetës së tij një njeri që i njohu nga afër rreziqet e autoritarizmit. Ishin efektet gërryese të atyre rreziqeve në shpirtin e njeriut që e shqetësonin po aq sa edhe përqendrimi i tepërt i pushtetit. “Nëse pushteti korrupton”, shkroi ai, “e kundërta është gjithashtu e vërtetë: persekutimi korrupton viktimën, edhe pse ndoshta në mënyra më tragjike.”

Nëse Koestler ishte i saktë dhe regjimet autoritare arrijnë të të korruptojnë, bashkë me veten e tyre, kritikët e tyre, pra edhe njerëzit e letrave në Turqi kanë arsye për t’u shqetësuar. Prej vitesh, ne po udhëtojmë drejt një tuneli të ngushtë e të errët të “demokracisë joliberale”. Elita sunduese e partisë së presidentit Rexhep Tajip Erdogan, ka refuzuar të pranojë se zgjedhjet e lira nuk janë të mjaftueshme për të pasur demokraci. Ka përbërës të tjerë të nevojshëm: ndarja e pushtetit, sundimi i ligjit, liria e fjalës, të drejtat e grave dhe të drejtat e pakicave dhe, një tjetër po aq e rëndësishme: media e pavarur. Pa këto kutia e votimit është vetëm një hap drejt rrugës së “mazhoritarizmit” në rastin më të mirë dhe në atë të autoritarizmit, në rastin më të keq.

Tentativa për grusht shteti në korrik, që la më shumë se dyqind të vdekur, ishte diçka tronditëse dhe e gabuar; ajo e bëri gjithçka më keq. Por kjo është një nga ironitë e pafund të Turqisë; që liberalët dhe demokratët ishin ndër të parët që i kundërshtuan përpjekjet e liga e puçiste për të përmbysur qeverinë e AKP-së, e po ata qenë të parët që u dënuan dhe u detyruan të heshtin nga e njëjta qeveri. Më shumë se 140 gazetarë janë në burg sot në Turqi, duke e bërë vendin, shtetin me më shumë gazetarë të arrestuar në botë, në fakt kjo tejkalon edhe Kinën. Miq dhe kolegë të tyre janë në mërgim, në listën e zezë, të arrestuar, a të burgosur. Linguistja e njohur Necmiye Alpay, e festoi ditëlindjen e saj të shtatëdhjetë pas hekurave; ndërsa romancieri Aslı Erdogan; romancieri Ahmet Altan; studiuesi Mehmet Altan; kolumnisti liberal Şahin Alpay; redaktor i përgjithshëm i gazetës laike ‘Cumhuriyet’, Murat Sabuncu dhe redaktor letrar, Turhan Günay- janë pjesë e listës së shkrimtarëve dhe gazetarëve të burgosur. Është një listë e frikshme, e dimë të gjithë, por thellë brenda vetes ne r dimë po ashtu se një ditë lista mund të jetë edhe më e gjatë.

Siç shkruante dikush në rrjetet sociale, “nëse të gjithë këta shkrimtarë janë ‘brenda’, atëherë asnjë nga shkrimtarët e tjerë nuk mund të thotë me të vërtetën se është ‘jashtë”. Orwelli i shqyrtonte mënyrat në të cilat letërsia kishte mbijetuar në Gjermani, Itali e Rusi sa herë autokracia kishte qenë në rritje. Ai i paralajmëroi kështu shkrimtarët e ardhshëm: “Poezia mund të mbijetojë në epoka totalitare dhe disa arte ose gjysmë-arte, të tilla si arkitektura, mund edhe ta gjejnë të dobishme tiraninë, por prozatori nuk do të ketë kurrë zgjedhje tjetër veç heshtjes ose vdekjes”.

Është më e lehtë të heshtësh kur të tjerët heshtin gjithashtu. Heshtja e urren individualitetin. Heshtja e urren vetminë.

Proza, nga ana tjetër, kërkon gjëra- që janë tashmë të vështira për t’u arritur në një shoqëri aq kolektiviste sa edhe të polarizuar si Turqia. Sfida është më e madhe, mendoj, për gratë shkrimtare, të cilat cilësohen ende si bijat, gratë apo nënat dhe jo si individë që mund të mendojnë dhe të shkruajnë vetë. Asgjë nuk është më e trishtë se shfaqja e “gazetarëve” oportunë dhe “shkrimtarëve” nën autoritarizëm.

Përveç reagimeve oportuniste, mua më duket se do të ketë disa lloje përgjigjesh në mesin e shkrimtarëve turq mbi humbjen e lirisë intelektuale dhe artistike. Së pari, është depolitizimi – vetëcensura vullnetare. Kjo është një lloj ikje nga imagjinata jonë. Te “Bota e djeshme”, një biografi për jetën në Vjenë para rritjes së Partisë Naziste, Stefan Zvajg shkruante: “Harroji të gjitha, i thashë vetes, ik nga mendja dhe puna jote, në vendin ku je thjeshtë një qenie e gjallë, që merr frymë-jo si qytetar i një shteti, as si pjesë e një loje… (shko) në vendin ku të duhet arsyeja që ende të punosh në një botë të çmendur”.

Ata që zgjedhin këtë rrugë nuk do merren me politikë, ata do shkruajnë tregime për dashurinë dhe thyerjet e zemrës. Ndërkohë, gjërat do të bëhen më keq përtej dritareve tona, kolegët dhe miqtë do të futen në telashe, por ne do të varrosim kokat tona në grumbujt tanë të librave, të sinqertë në pasionin tonë për krijimtarinë, por të frikshëm kundër forcave që e mbytin krijimtarinë…

Pastaj është rruga e mbi-intelektualizmit; ndryshim stili më shumë se teme. Ata që zgjedhin këtë rrugë do të fillojnë të shkruajnë në një mënyrë të tërthortë, më të ndërlikuar, duke thënë diçka, por jo duke thënë saktësisht atë që nuk thuhet; do i bëjnë fjalitë të gjata, përshkrimet e tyre shumë abstrakte në mënyrë që të mos i thonë një autokrati- autokrat.

Ka edhe nga ata që do ta gjejnë veten të katapultuar në një rol të ri publik, për të cilën nuk kanë qenë të përgatitur, do u duhet të luftojnë kundër pushtetit, padrejtësisë, pabarazisë, shtypjes. Arti i tyre mund të lulëzojë ose mund të vuajë, jo për shkak të shtypjes së qeverisë, domosdoshmërisht, por sepse shumë politikë në të mund ta mbytë artin.

Zgjedhja e fundit dhe e katërta është satira e mprehtë, humori i zi. Çfarë përgjigje më të mirë mund t’i japësh situatës sesa të përqeshësh autoritetin dhe të bësh shaka me një shoqëri që ka kaq frikë nga “babai i vet” dhe, të bësh shaka me veten, shkrimtarët dhe artistët që po përpiqen të mbijetojnë duke shitur shpirtërat tanë, pak më shumë çdo ditë? Humori është biznes i rrezikshëm në Turqi, ndaj nuk është çudi që në mesin e të arrestuarve është një nga karikaturistët kryesorë në vend, Musa Kart.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme