“Cities of Peace” thur në filigran rrëfimin për Prishtinën

Prishtinë | 12 Qer 2018 | 13:49 | Nga

Për më shumë se 10 vjet projekti “Cities of Peace” apo “Qytetet e paqes” ka udhëtuar nga Jerusalemi në Bagdad, Sarajevë, Nju Jork e shumë qytete të tjera, dhe tash ka ardhur edhe në Prishtinë, ku sonte do të bëhet prezantimi i pikturës “The Flowering”, krejt kjo për të promovuar kulturën e historinë e shteteve përmes muraleve.

Piktura monumentale që në Prishtinë mban emrin “Lulëzimi” është shndritur me katër lloje të arit të çmueshëm duke përfshirë fletët e paladiumit për të festuar historinë 8 mijë vjeçare të rajonit.

E krijuar me pjesëmarrjen e studentëve, artistëve, studiuesve, nga etni dhe 38-të komuna të ndryshme, “Lulëzimi” gjurmon të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen e këtij qyteti, me vijat më të holla të filigranit.

Për të parë përgatitjet e fundit para prezantimit në një vizitë në Muzeun e Kosovës ishte ambasadori i SHBA-ve në Prishtinë, Greg Delawie, i cili tha “Lulëzimi” është një vepër e mrekullueshme.

Ndërkohë u shpreh i lumtur që “Cities of Peace” si projekt amerikan ka ardhur në Kosovë, ndërsa la edhe shenjën e tij në këtë vepër.

“Me të vërtetë, më vjen shumë mirë që po i shoh të gjithë këta artist të rinj me kaq entuziazëm, të cilët janë duke punuar dhe po e japin kontributin e tyre. Po ashtu, më vjen tepër mirë që po e shoh që ka pasur mundësi që një projekt amerikan siç është “Qytetet e paqes” të vijë këtu për të ndihmuar në promovimin e paqes”, tha ai.

Kjo vepër artistike është realizuar gjatë rezidencës dymujore në Muzeun e Kosovës nga drejtoresha artistike e programit Ellen Frank dhe studentë nga e gjithë Kosova.

Projekti “Qytetet e paqes” nderojnë historinë dhe kulturën e qyteteve botërore që kanë përjetuar konflikte dhe trauma të mëdha.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme