Dibra: “Idiot! Duhej të kishe shkruar më pak dhe të kishe jetuar më shumë”

Prishtinë | 15 Kor 2017 | 17:39 | Nga

Flasim përhanshëm me Ridvan Dibrën.

Ç’lloje intervistash ju bezdisin më shumë?
Të gjitha. Edhe kjo e juaja.

Thonë se vetminë e keni shpikur ju?
Vetminë time, po.

Një shkrimtar në Shkodër ngjan me çka?
Me shumëçka, përveçse me një shkrimtar shkodran.

Personazh i cilit libër jeni?
I të gjithë librave të mi, pa asnjë përjashtim.

Irenë B. mendoni se do t’ju falënderonte dhe pranonte për demiurg?
Dikur po. Tani jo.

Kur janë njerëzit më të mirë?
Sa janë pa mësuar përemrin vetor “Unë”.

A ju ngjan qyteti në shpikje djalli?
Jo vetëm Qyteti. Por dhe çdo Institucion tjetër që krijon e ngjesh turma.

Për çka do ta kishit redaktuar Zotin?
Ndoshta pse nuk na e vuri Zemrën sipër, në vend të kokës.

Mik i lig cili është?
Ai që ta vret besimin te Miqësia.

A ka vërtetë Shkodra plot dashuri?
Sidomos nëpër këngë.

Ç’ka të mirë te harresa?
Na ruan nga çmenduria.

Çka nuk falni?
Padrejtësitë që mund t’i bëhen tim Biri, Erosit.

Po ta kishit Shqipërinë në dorë për 24 orë si kryeministër ç’do të bënit me urgjencë?
Do jepja dorëheqjen.

Cili politikan të bën të shash, fyesh, e të mbyllesh në dhomë?
Asnjëri. Nuk i marr seriozisht.

Ju pëlqen t’ju gënjejnë bukur?
Sidomos kur e bëjnë kritikët e studiuesit letrarë.

Cila poezi i ka çmendur vajzat kur ua keni recituar në të ritë?
Asnjëra. Po të kisha guxuar, do vazhdoja të isha beqar.

Cila kohë është e juaja?
Edhe mesnata.

Nëse do t’ju ofronin t’ju presin ndonjë shirit kohor nga kujtesa cilën periudhe do ta zgjidhnit?
Ndoshta, njërën prej periudhave më të vështira të jetës sime: vitet 1982 – 1988, kur qeshë mësues në një fshat të thellë malor në rrethin e Kukësit.

Çka ju mundon më së shumti?
Pagjumësia netëve.

Cili është budallallëku më i madh që keni bërë ndonjëherë?
Ndoshta – ndoshta, kjo intervistë me ju.

A e dinë të tjerët se ju jeni gjeni?
Nuk e besoj. Presin që të bindem edhe unë vetë.

Ç’do t’i kishit thënë lexuesit të nesërm?
T’i zbulojë vetë autorët dhe librat e zemrës. Mos t’u besojë aq fort kritikëve e akademikëve, çmimeve e bujës mediatike.

Ç’keni të përbashkët me Franc Kafkën?
Asgjë. Përjashto faktin që ndonjëherë, kur ma ka ngenë, kuvendojmë në distancë njëri me tjetrin.

Ku është ngatërruar bota?
Bota ka lindur e tillë. Dhe e tillë do të jetë përherë. Problemi është që me punët e veprat tona mos t’ia shtojmë nyjat.

Ah, pengjet …. I keni shumë?
Pengjet? Në vjeshtën e moshës veçse bien e rrallohen, si gjethet.

Nga i përzini njerëzit kur i nxirrni nga jeta?
Nuk përzë njerëz! Ndoshta këtë e bën pa dashjen time letërsia ime.

Si dashuroni?
Plot hezitime. Gjithnjë dyshues se mos prania dhe natyra ime e ngatërruar më shumë se kënaqësi, dhuron probleme.

Keni parë e dëgjuar sa romane shkruajnë të rinjtë, kush do t’i lexojë?
Le të shkruajnë. Nuk është e thënë që çdo roman të lexohet nga dikush.

Cilat janë tri fjalitë që do ta kishe bërë krejt njerëzimin t’i pëshpërisë brenda gjithë ditës si formë lutjeje?
Mos urreni. Mos lakmoni. Mos paragjykoni.

Ju vjen keq që jeni njeri?
Edhe ndodh ndonjëherë. Sidomos kur banaliteti dhe mungesa e ndjeshmërisë, injoranca e ligësia përballë meje, m’i ndryshkin të gjitha armët që zotëroj.

Ç’ju bën për të qeshur më shpesh?
Kritikat dhe gjykimet që i bëhen veprës sime letrare.

A rrnohet veç për me tregue?
Natyrisht që jo. Rrnohet veç për me dashurue.

Çka është më e keqe se një grua e keqe?
Ndoshta një grua në karrierë.

Ku i merrni personazhet dhe si i ndërtoni?
Te vetja ime, i kam krejt afër dhe me bollëk.

Një grua e jashtëzakonshme ç’emër do kishte? A e njihni?
E njoh këtë grua dhe asht ime shoqe. Nuk asht aspak e lehtë të durohet kaq gjatë dhe kaq bukur një fëmijë gjithnjë i parritur.

E folura , apo dëgjimi ju rrëmbejnë më shpesh?
Asnjëra dhe as tjetri. Mbetem rob i leximeve.

Kush jeni ju?
Nuk e di tamam. Sapo ta mësoj, do të rresht së shkruari.

Nëse do ta takonit veten një ditë ç’do t’i thoshit?
Idiot! Duhej të kishe shkruar më pak dhe të kishe jetuar më shumë.

E shkuara, ç’ka t’i bëjmë asaj?
Ta lëmë të mbetet e tillë, domethënë e shkuar.

Është e bukur jeta, megjithatë apo?
Jeta asht aq e plotë, sa që nuk i duron epitetet./panalbanica

Intervistoi: Xhemazije Rizvani, Gazeta Observer

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme