Dosja e Kadaresë shkakton debate, kërkohet publikimi

Prishtinë | 13 Sht 2017 | 10:22 | Nga Ekonomia Online

Publikimi i 101 dokumenteve të periudhës komuniste mbi Ismail Kadarenë, të klasifikuara si “tepër sekrete”, kanë përfshirë në një debat të fortë protagonistët dhe jo vetëm.

Të dhënat e panjohura nga Arkivat e Sigurimit të Shtetit dhe Komitetit Qendror të PPSH-së, procesverbalet e mbledhjeve të Lidhjes së Shkrimtarëve, Byrosë Politike, kritikat, letrat…deri edhe akuza, spiunime apo denoncimet kundër shkrimtarit, përpiqen të zbardhin të vërtetat e raportit të regjimit me Ismail Kadarenë.

“Surpriza është pikërisht kjo. Nga këto dokumente vihet re që diktatura komuniste paska pasur një arkivol të hapur gjithmonë për Ismail Kadarenë”, u shpreh Henri Çili, transmeton Shqip.

Mes të gjitha dokumenteve, botuesi Henri Çili veçon dy.

“Shokuese kanë qenë dy dokumente të reja: dëshmia në gjyqin e Todi Lubonjës, e të birit të Fatos Lubonjës, si dhe dëshmia e Llambi Ziçishtit. Ismail Kadare ka qenë personazh qendror i këtyre gjyqeve dhe jashtëzakonisht i rrezikuar. Fatos Lubonja thotë që babai, pra armiku Todi Lubonja, vlerësonte vetëm Ismail Kadarenë ose librat e ndaluar i merrte te Kadareja”, shprehet më tej Çili.

Por këto fakte kanë shtuar oreksin e studiuesve, për të mësuar edhe më shumë mbi pozitën e Ismail Kadaresë gjatë viteve ’70-’80, sidomos në dritën e zhvillimeve dramatike që patën gjykimi dhe ndëshkimi i miqve të tij në politikën e kohës, ku spikasin proceset gjyqësore të liberalëve në kulturë, Todi Lubonja dhe Fadil Paçrami, si dhe komplotistëve të Mehmet Shehut.

“E pamë të logjikshme që ta nisim këtë proces të hulumtimit të letërsisë duke marrë në qendër korpusin e një prej shkrimtarëve tanë më përfaqësues, siç është Ismail Kadare”, shprehet Alda Bardhyli, drejtoreshë e Qendrës Studimore “Kadare”.

Kjo do të kërkonte hapjen e dosjes së ndjekjes së Ismail Kadaresë nga Sigurimi i Shtetit dhe proceseve politike ku është dëshmuar për shkrimtarin.

“Ne i kemi kërkuar autoritetit të dosjeve, në bazë të ligjit të ri si studiues, të shohim Kadarenë në proceset politike të viteve ’70-’80”, shton Çili.

E ndërsa hapja e dosjeve pritet t’u japë përgjigje shumë pikëpyetjeve, lidhur me të shkuarën komuniste të shqiptarëve, duket se mes tyre do të hapë jo pak debate në të ardhmen.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme