Ekspozitë e fotografive çift: “Prague 68″ & “Aktorja Arta Dobroshi duke kërcyer me hare për paqen botërore”

Prishtinë | 15 Maj 2018 | 15:02 | Nga Ekonomia Online

Ekspozita hapet në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, më 23 maj 2018, në orën 18:00, dhe do të jetë e hapur dy javë.

Fotografitë kanë fuqi të madhe. Ato mund të flasin me ne, ato mund të flasin mes vete. Për këtë ambasadori i Republikës së Çekisë, Ivo Silhavy, dhe aktorja e mirënjohur nga Kosova, Arta Dobroshi, duan ta prezantojnë një koncept të ri të ekspozitës – një ekspozitë të fotografive çift.

Në të vërtetë janë dy ekspozita ndërvepruese mes tyre. Njëra, në teknikën bardhë e zi, që prezanton të kaluarës, dhe ekspozita tjetër me ngjyra që prezanton të ardhmen. Elementi i tretë është shikuesi.

Ambasadori Silhavy, i cili është kurator i kësaj foto-ekspozite thekson: “Ky trekëndësh krijon një hapësirë ndërvepruese për imagjinatën, mendimin dhe idetë e reja. Shikuesit i jep një dinamikë pozitive për t’i lënë anash stereotipat e lodhshme ditore. Shikuesi bëhet pjesë aktive e dialogut të bashkuar në mes të fotografive, dialogu që ngritët nga kontrasti i mprehtë bazuar në gjendjen e fotografuar, ndjenjat, teknikat, disejni dhe shtrirja e tyre”.

“Prague 68” është një seri e fotografive të fotografit çek, Oldřich Škácha. Fotot e ekspozuara sjellin dëshminë e tij pamore të dokumentar, me fotoaparatin e tij, në ditën e parë të intervenimit ushtarak sovjetik në Pragë, në vendet e ngjarjeve ku çekosllovakët paqësor të shtangur vdisnin në: Sheshin Wenceslav, në Sheshin e Qytetit të Vjetër dhe në selinë e Radio Çekosllovakisë.

Okupimi i Çekosllovakisë, më 21 gusht 1968, i udhëhequr nga Armata e Kuqe Sovjetike, në muajt e parë, mori 137 jetë të qytetarëve çekosllovak. Çekosllovakia e atëhershme, në 21 vitet e ardhshme, ra nën regjimin e rreptë totalitar të kontrolluar tërësisht nga Moska. Më 2018 është 50-vjetori i okupimit ushtarak të Çekosllovakisë.

“Aktorja Arta Dobroshi duke kërcyer me hare për paqen botërore” është një seri e fotografive të bëra nga fotografë të ndryshëm duke e dokumentar nismën e Artës për të frymëzuar njerëzit të jetojnë në paqe dhe të respektojnë të tjerët. Në fotografitë e saj, ajo kërcen me gëzim me fëmijë, me personalitete të njohura, me refugjatë, me diplomatë, me artistë e njerëz të tjerë.

“Arta më ftoi të kërcej, me të, me gëzim po ashtu. Kur u ngrita në ajër, e ndjeva sikur po ngjitesha mbi stereotipat e ditës dhe e pash jetën time prej së larti, si dhe një lehtësim në zemrën time në një largësi të madhe. U ndjeva sikur po e përcaktoja ardhmërinë time”, shpjegon ambasadori Silhavy.

Ndërsa artistja e mirënjohur, Arta Dobroshi, shprehet: “Populli i Kosovës është shembull për botën. Shembull se si te arrihet paqja, liria në një vend”.

“Me vite të tana gjithë gjeneratat deri në vitin 1999, kemi protestu për paqe dhe liri në vendin tonë. Paqen dhe lirinë e kemi ndi aq shumë me zemër e me shpirt, sa që e kemi reflektu në gjithë vendin tonë dhe në të gjithë botën. Dhe sot, ne jetojmë në liri e në paqe. Fotografitë ku kërcej me hare për paqe në botë, janë reflektim i shpirit tim dhe dëshirës time për paqe në krejt botën. Jam e sigurt që në të ardhmen e afërt gjithë popujt e botës kanë me jetu në liri dhe paqe”, thekson ajo.

Në fotografitë bardhë e zi nga ditët e okupimit ne i shohim njerëzit në rrugë të frikësuar, të shtangur, të pafuqishëm, mirëpo me një përcaktim në sytë e tyre. Në fotografitë me ngjyra të Artës dhe të miqve të saj përmes kërcimit ndajnë me ne gëzimin dhe kënaqësinë e jetës me një dritë në sytë e tyre.

“Kur i pashë këto fotografi, njërën pranë tjetrës, u ndjeva se duhet shkuar përmes një përvoje të dhimbshme, si komb dhe si individ, që të kesh fuqi për të kërcyer mjaftueshëm lart për të kapur fatin në duar tona. Vetëm atëherë mund të vazhdojmë në drejtimin e duhur, me besim dhe dashuri, me gëzim në zemrat tona…Shkurt, Presidenti Václav Havel thoshte: “E vërteta dhe dashuria duhet t’i mundin gënjeshtrat dhe urrejtjen”! Varet nga ne nëse do të zgjedhim rrugën e duhur dhe të fitojmë”, shprehet për ekspozitën ambasadori Silhavy.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme