Ekspozitë me piktura për privatësinë si një e drejtë elementare

Prishtinë | 20 Pri 2017 | 19:35 | Nga Albulena Misini Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Fakultetin e Artit Figurativ të Universitetit të Prishtinës, kanë hapur sot Ekspozitën “Privatësia e Shkelur”.

Ekspozita ka karakter sensibilizues, me qëllim ngritjen e vetëdijes së qytetarëve për rëndësinë që ka privatësia si një e drejtë elementare.

Ministri i Arsimit, Arsim Bajrami, tha se Ministria e Arsimit është jashtëzakonisht e lumtur që ka pasur mundësi ta mbështesë këtë projekt.

“Ne do të ju mbështesim gjithmonë ekspozitat e tilla të cilat kanë edhe karakter sensibilizues, dëshirojnë të ngrisin vetëdijen e qytetarëve për rëndësinë që ka privatësia si një e drejtë elementare, si një shoqëri e cila kemi shpallur transparenten si parim kushtetues”, tha ai.

“Ne duhet ta dimë që të ruajmë dinjitetin e individit të qytetarit dhe pikërisht kjo ekspozitë është në këtë funksion të sensibilizimit të ruajtjes së privatësisë si një segment i jetës personale private të secilit qytetar”.

Bujar Sadiku, nga Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, tha se kjo është një praktikë e mirë, që është duke u realizuar edhe në vendet evropiane në mbrojtjen e të dhënave personale, gjegjësisht privatësia si një e drejtë elementare, raporton Ekonomia Online.

“Kemi disa piktura shumë të rëndësishme që do të pasqyrojnë punën e institucioneve tona para organizmave të tjerë ndërkombëtar dhe në konferencat në të cilat marrim pjesë. Është një punë shumë e mirë dhe e cila është vlerësua shumë lartë”.

Për pjesëmarrësit e ekspozitës janë ndarë 20 certifikata, deri sa tre studentë janë shpërblyer me vendin e parë.

Vendin e parë për pikturat më të mira e ndanë Arlinda Kabashi, Ermir Zhinipotoku dhe Mirjeta Qehaja. Ata u shpërblyen me nga 200 euro.

Fituesja Arlinda Kabashi, studente e Fakultetit të Arteve, e cila kishte pikturuar një femër nudo, tha se është munduar që në këtë pikturë të përcjell mesazhin se teknologjia e cila po avancon gjithnjë e më shumë po cenon privatësinë e njeriut.

Të ngjashme