Elbenita Kajtazi cilësohet yll i mbrëmjes nga kritika gjermane

Prishtinë | 06 Qer 2018 | 09:49 | Nga

E veshur në petkun e vajzës lozonjare, e cila fsheh identitetin, sopranoja kosovare Elbenita Kajtazi është vlerësuar si yll i mbrëmjes nga mediat gjermane. Ajo debutoi në rolin e Anninës në operetën e njohur të Johann Straussit, në skenën e “AaltoMusich-Theater” në Essen të Gjermanisë.

Kjo operetë, premiera e së cilës u dha të dielën, nën produksion të Bruno Klimek dhe dirigjim të Johannes Witt, i la përshtypje të mirë kritikës gjermane, shkruan sot “Koha Ditore”. Opereta, e cila titullohet “Eine Nacht in Venedig”, është e ndarë në tri akte. Libreton e kishte shkruar Richard Genee. Storia e saj romantike e fanatike përfshin disa raste të përzierjes së identitetit ku personazhet paraqiten ata që nuk janë. Kjo operetë ishte dhënë premierë në vitin 1883 në Berlin dhe më pas në Vjenë.

Gazeta gjermane “Ruhr Nachrichten” në një artikull dedikuar kësaj premiere ka shkruar për produksionin dhe gjithçka rreth operetës. E sopranon Kajtazi e ka cilësuar si më të mirën e mbrëmjes.

“Ylli i mbrëmjes ishte Elbenita Kajtazi, në rolin e shitëses së peshkut Annina dhe si një nga barbaraset false, e cila gëzon praninë e dukës. Aria e saj ‘Frutti di mare’ tingëllon shumë freskuese dhe e mrekullueshme. Tingujt e lartë ajo i kap me shumë lehtësi dhe rrezatojnë. Gjithashtu zëri i saj është shumë prezent edhe në ansamble”, ka shkruar “Ruhr Nachrichten”.

Kajtazi është përzgjedhur në mesin e 40 këngëtarëve nga mbarë bota që të jenë pjesë e garës në këtë edicion të “Operalia”. Në mesin e tyre është edhe sopranoja tjetër e suksesshme kosovare Marigona Qerkezi.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme