Erblin Nushie , regjisori i “Binit”, më i shquari në Washington

Prishtinë | 11 Sht 2018 | 09:13 | Nga

Rrëfimi, që zhvendoset në prag të shpërthimit të luftës në Kosovë, e ka bindur jurinë e një festivali filmash në Washington DC se regjisori që e ka realizuar atë është ndër filmbërësit më të dalluar vendas atje.

Me filmin “Bini”, Erblin Nushie ka marrë çmimin “DC Shorts Outstanding Local Filmmaker” (Filmbërësi më i shquar lokal i ‘DC Shorts’), shkruan sot “Koha Ditore”.

Festivali është themeluar qysh më 2006, nga “DC Film Alliance”, organizatë joprofitabile e arteve, që ka për qëllim të ndihmojë në ngritjen e urave dhe zbehjen e vakuumit midis organizatave të filmit.

“Bini”, një film 20-minutësh i xhiruar në Pejë, mori vëmendjen e medieve, sidomos pas përfshirjes në listën e të nominuarve për “Oscarin” e studentëve në muajin gusht. “Students Academy Award” e ka bërë filmin e regjisorit kosovar pjesë të garës, në kategorinë “Narrative – domestic film school”, përkrah me filmat “Empty Skies”, “This is your Cuba”, “June”, “Lalo’s House”, “Masks”, “Mid City Blue” e “Spring Floeer”. Ceremonia e 45-të e ndarjes së çmimeve “Student Academy Awards” do të mbahet të enjten e 11 tetorit në Beverly Hills.

“Bini” deri më tani është shfaqur në “Stockholm Independent Film Festival”, në “PriFilmFest” e në “Korça International FilmFestival” dhe në “HollyShorts Film Festival”, që po ashtu është kualifikues i “Oscars”.

Nga shfaqja në “DC Shorts Film Festival”, “Bini” ka dalë me trofe. Ky për Nushin është një hap shumë i rëndësishëm.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme