Fillojnë xhirimet e dokumentarit “Rrugëtim prej Kampioni”

Prishtinë | 13 Mar 2017 | 12:00 | Nga

Dokumentari i cili flet për rrugëtimin e legjendës së Bodibilldingut shqiptar Idriz Humolli ka filluar xhirimet në Pallatin e Rinisë në Prishtinë.

‘Rrugëtim prej Kampioni’ me regji nga Kushtrim Kadriu dhe me skenarist dhe producent Arton Humolli kanë filluar xhirimet të cilat pritet të zgjasin deri në fund të muajit korrik të këtij viti.

Ky dokumentar do të shtjelloj themelimin e sportit të Bodibilldingut në Kosovë, hapjen e klubit të parë, sukseset e Idriz Humollit si kampion i shtatëfishtë i Kosovës si dhe ndikimin e tij në popullarizimin dhe masovizimin e Bodibilldingut në Kosovë.

Arton Humolli rreth dokumentarit u shpreh se “duke i pasur parasysh konditat e asaj kohe; gjendjen politike, sociale e ekonomike si dhe informatat e pakta që ishin rreth Bodibilldingut, doli që rrugëtimi drejt themelimit të këtij sporti të ri të ishte sa sfidues e i mundimshëm aq edhe frymëzues e inspirues për gjeneratat e reja”.

Ky film është prodhim i shtëpisë filmike “A&G Production” i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe pritet të përfundojë në muajin tetor të këtij viti.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme