Filmi “Home” shfaqet në kinemanë “Jusuf Gërvalla” në Pejë

Pejë | 09 Mar 2017 | 12:40 | Nga

“Anibar” organizon të premten shfaqjen e programit të parë për vitin 2017 në Kinemanë “Jusuf Gërvalla” në Pejë.

Në natën e parë të programit të këtij viti do të shfaqet premiera e filmit “Home”, i cili u shpall fitues nga “Bafta” në kategorinë filmi i metrazhit të shkurtër, prezentë do të jenë edhe producentët e filmit.

Dyert do të hapen në ora 19; programi fillon në ora 20 me shfaqjen e filmit “Home” dhe programit “The Future is Here” nga Dokufest. Prej 21, Eroll Bilibani dhe Shpat Deda do të prezantojnë punën e tyre për realizimin e filmit “Home” dhe do të marrin pyetje nga publiku.

Pas një kokteji me ushqim tradicional prej orës 21.30, në ora 22.00 do të fillojë koncerti i Bibera Trio, me ç’rast do të performojnë Ilir Bajri, Arian Randobrava dhe Enes Bajramliqi.

“Anibar”, në janar të këtij viti ka marrë në menaxhim kinemanë “Jusuf Gërvalla” në Pejë për 15 vitet e ardhshme.

Aktualisht, në kinema mungon teknologjia digjitale e cila do të lejonte shfaqjen e filmave të fundit çdo ditë në kinema. Derisa të sigurohen pajisjet, “Anibar” njofton se do të vazhdojë të shfaqë programe artistike në kinema.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme