Filmi Rreze nga Kosova në Cannes Short Corner

Prishtinë | 16 Pri 2018 | 13:48 | Nga Ekonomia Online

Filmi i shkurtër Rreze /Ray/ me skenar dhe regji të Lorena Sopit, i sjellë si adaptim nga Ditari i luftës me autore Rreze Abdullahu, është filmi i vetëm shqiptar që këtë vit do të jetë pjesë e programit Film Short Corner në kuadër të festivalit më prestigjioz në botë – Cannes Film Festival. Festivali i Cannes në Edicionin e 71-të do të mbahet nga data 8 – 19 maj dhe do të hapet me filmin ‘Everybody Knows’ të regjisorit Iranian Asghar Farhadi me Penelope Cruz dhe Javier Bardem në rolet kryesore.

Në programin Short Film Corner do të shfaqen më shumë se 70 filma nga vende të ndryshme të botës dhe më shumë se 100 filma të përzgjedhur në seksionin e shollave më prestigjioze të filmit. Filmi kosovar Rreze /Ray/, do të shfaqet me datë 17 maj në Palais G në ora 15.

Filmi Rreze, trajton një ditë të vetme të ditarit të mrekullueshëm të Rreze Abdullahut, e cilësuar si Ana Frank e Kosovës. Pikërisht, në ditëlindjen e nëntë, gjatë vitit të luftës 1999, Rreze Avdullahu kishte shkruar Ditarin e Frikës. Atë ditë të shenjuar, ajo nuk kishte pritur dhurata e as festë. Ajo kishte vetëm një dëshirë: Nuk donte të vdiste. Atë ditë, Rrezja shkon te ushtari serb që bënte roje dhe i thotë: unë sot e kam ditëlindjen dhe nuk po due me vdekë! Veq po due me mbetë gjallë… Ushtari nis e qan. Rrezja befasohet sepse kishte kujtuar se ushtarët nuk qajnë. Tetëmbëdhjetë vjet më vonë, mbi gërmadhat e së kaluarës, Rrezja shfaqet e dëshpruar me botën që nuk është bërë më e mirë…

Filmi prej 12,30 minutash me titull ‘Rreze’ /Ray/ është prodhuar nga AS Film Production nga Prishtina. Filmin Rreze, gjatë muajve në vijim, e presin edhe shumë evente të tjera të rëndësishme.

Në rolet kryesore paraqiten Agron Shala, Glorioza Shala dhe Aurita Agushi. Në rolet e tjera vijnë Beslidhje Bytyqi, Selman Lokaj, Uran Duli, etj. Drejtor i fotografisë është Besnik Hasolli, mjeshtër zëri Gëzim Rama, skenograf Uran Duli, kompozitor Mendi Mengjiqi dhe producent Agim Sopi.

Lorena Sopi, është studente e regjisë dhe produkcionit në Toronto Film School, njëren ndër shkollat më prestigjioze të botës. Deri më tani ka realizuar disa filma të shkurtër. Filmat e saj ‘Mona’, ‘Më e bukur se pranvera’ dhe ‘Përjetësisht Fëmi’, kanë qenë pjesë e më shumë se 50 festivaleve ndërkombëtare dhe kanë fituar më shumë se 20 çmime kinematografike.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme