Gabimet në restaurim, shkak i rrëzimit të minares së Xhamisë në Deçan

Prishtinë | 18 Dhj 2017 | 09:03 | Nga

Restaurimi i paqëndrueshëm i realizuar më 2003 në Xhaminë e Deçanit për të cilin ishin shpenzuar 300 mijë euro, është konsideruar si një prej shkaqeve për rrënimin e minares së objektit që gëzon mbrojtje ligjore.

Sipas Insitutit të Kosovës për Mbrojtje të Monumenteve, gabimet në rikonstruktimin e minares, kanë bërë që minarja e Xhamisë të mos jetë stabile dhe të rrëzohet të premten pas mesnate, si pasojë e erërave që kishin përfshirë Komunën e Deçanit, shkruan sot “Koha Ditore”.

Para 14 vjetësh ishin investuar 300 mijë euro për rikonstruktim të xhamisë që ka statusin e monumentit të trashëgimisë kulturore. Një investim të tillë e kishte bërë qeveria e shtetit aziatik Brunei, ndërsa zbatueses i projektit ka qenë Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve.

Kjo xhami, e cila ishte djegur gjatë luftës së fundit në Kosovë sipas shënimeve në Databazën e Trashëgimisë Kulturore të Kosovës, thuhet se është ndërtuar në vitin 1851, ndërsa në vitin 2012 ishte futur në Listën e trashëgimisë për mbrojtje të përkohshme. Por punimet jo të qëndrueshme, të cilat ishin bërë në vitin 2003 në minare, sipas ushtrueses së detyrës së drejtorit të IKMM-së, Ardiana Qorraj, janë shkaktare që erërat kanë arritur ta rrënojnë tërësisht.

Një ekip nga IKMM-ja, në koordinim me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, si dhe Qendrën Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Pejë, të shtunën kanë dalë në vendin e ngjarjes për të parë së afërmi gjendjen e monumentit të trashëgimisë kulturore.

Sipas Qorrajt, gjatë kësaj jave parashihet që të bëhet një intervenim emergjent, ndërsa në pranverë të fillojë edhe rikonstruktimi i minares.

Gabimet në restaurim, shkak i rrëzimit të minares së Xhamisë në Deçan

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme