Gashi: Inspektorati ka bërë tri kallëzime penale për dëmtim të trashëgimisë kulturore

Prishtinë | 16 Maj 2018 | 11:21 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministri i Kulturës, Rinis dhe Sportit (MKRS) Kujtim Gashi, ka bërë të ditur se Inspektorati për Trashëgimi Kulturore ka bërë tri kallëzime penale për dëmtim të trashëgimisë në vend.

Gashi në komisioni parlamentar për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi, shtoi se që nga muaji shkurt kur ky mekanizëm ka filluar punën ka bërë 21 inspektime, raporton Ekonomia Online.

Ai shtoi se kanë përgatitur koncept-dokumentin për trashëgiminë kulturore e cila do të procedohet në Kuvend.

“Si rezultat i këtij inspektorati janë bërë 21 inspektime, dhe deri tani janë bërë 3 kallëzime e penale. Kemi përgatitur edhe koncept-dokumentin për trashëgiminë kulturore e cila do të procedohet në Kuvend”, tha ai.

Sipas tij, bazuar në zbatimin e programit për vitin 2017, trashëgimia kulturore ka pasur një vëmendje të shtuar, duke u rritur edhe buxheti për 1 milion euro.

“Ndërkaq për zbatimin e programit të vitit 2018 kam pasur përkushtim të veçantë për zbatimin e legjislacionit. Buxhetit është rritur për afërsisht 1 milion euro. Prioritet ka qenë themelimi i inspektoratit të trashëgimisë kulturore”.

“Bazuar në programin e punës në MKRS, trashëgimia kulturore ka pasur një vëmendje të kushtuar dhe përbën një nga sfidat kryesore të kësaj ministrie. Janë realizuar 12 projekte në ndërtesat me status të mbrojtjes kurse tek kërkimet në kuadër të trashëgimisë arkeologjike janë realizuar 19 projekte”.

“Kurse tek botimet janë realizuar 10 sosh. Një vëmendje e shtuar në kuadër të politikave programore i është kushtuar 14 projekteve në trashëgimin shpirtërore”, tha ai.

Kryetari i komisionit Ismail Kurteshi tha se përmes këtij takimi po tentohet të ngritet bashkëpunim në mes të ministrisë së Kulturës dhe Këshillit të Trashëgimisë Kulturore ndërkaq ai përmendi edhe konkursin i cili do të hapet në këtë Këshill.

“Këshillit për Trashëgimi Kulturore në fund të korrikut i kalon mandati dhe duhet të hapet konkursi”, tha ai.

Shafi Gashi, Drejtori i Këshillit të Trashëgimisë Kulturore lidhur me hapjen e konkursit për bord në këtë këshill duhet të merret Kuvendi.

“Edhe herën e kaluar kam potencuar se Këshilli i Kosovës për Trashëgimi është institucion vartës i Kuvendit. Është jashtë çdo logjikes që ministria e Kulturës të bëjë përzgjedhjen e kandidatëve në këtë konkurs”, tha ai.

Lexo më shumë:

Të ngjashme