Hapet ekspozita “Një ditë për ju” nga nxënës me probleme në të parë

Prishtinë | 04 Dhj 2017 | 14:44 | Nga Ekonomia Online

Në Kolegjin “Heimerer” është hapur ekspozita “Një ditë për ju”, kushtuar Ditës ndërkombëtare të personave me nevoja të veçanta, në të cilën u paraqiten punimet nga nxënësit e verbër dhe me dëmtime në të parë të shkollës në Pejë.

Në këtë ekspozitë u ekspozuan rreth 30 punime të ndryshme të punuara nga nxënësit, ku duke e vizituar këtë ekspozitë të pranishmit shprehën respektin ndaj angazhimit të këtyre fëmijëve të verbër, kurse duke blerë punimet e tyre, të gjithë dëshmuan se puna e tyre vlen, ashtu sikurse edhe ata vlejnë. Po ashtu, sot gjatë gjithë ditës, të gjitha shitjet që bëhen nga kafiteria e Kolegjit Heimerer, 10 cent shkojnë si donacion për Qendrën Burimore për mësim dhe Këshilim “Xheladin Deda” nga Peja.

Organizatorët e kësaj ekspozite ishin “Peja Lions Club”, në bashkëpunim me Qendrën Burimore për Mësim dhe Këshillim “Xheladin Deda” nga Peja dhe “Prishtina-Kosova Lions Club”, ndërkaq projekti është financuar nga D4D/Ambasada Britanike në Kosovë; ndërsa Kolegji “Heimerer” ishte nikoqir i ngjarjes. Ekspozita ka për qëllim nxitjen e vullnetarizmit në Kosovë

Po ashtu në kuadër të shënimit të kësaj dite, gjatë muajit dhjetor, studentët dhe stafi i Kolegjit “Heimerer” janë duke organizuar një sërë aktivitetesh në ndihmë personave më nevoja të veçanta dhe kategorive të tjera në nevojë në shoqërinë tonë.

Iniciativa humanitare “Të shtojmë buzëqeshje” ka për qëllim që të grumbullojë para, veshmbathje, lodra, libra apo ushqime për disa familje në nevojë në komunën e Prishtinës të cilët kanë fëmijë apo anëtarë të familjes me nevoja të veçanta, dhe të ju shtojmë buzëqeshjen këtyre familjeve në nevojë për festat e fund vitit.

Po ashtu, aktivitet i radhës do të jetë me Shtëpinë e të Moshuarve, ku do të ofrohen disa shërbime dhe këshilla të përshtatshme për këta banorë, në mënyrë që në një formë ose tjetrën të ju ndihmohet këtyre të moshuarve në proceset ditore dhe të kalojnë me ta një kohë së bashku, duke konsideruar si një grup i njerëzve që kanë nevojë për shoqëri dhe po ashtu këshilla profesionale.

Të ngjashme