Ismail Kadare përkthehet edhe në Serbi, vlerësime maksimale për shkrimtarin

Prishtinë | 06 Sht 2017 | 12:54 | Nga

Shtëpia botuese Samizdat B92 në Serbi ka botuar së fundmi librin më të ri të shkrimtarit shqiptar Ismail Kadare, me tregime të shkurtra, që titullohet “Bisedë për brilantet në pasditen e dhjetorit”.

Libri me rreth 150 faqe është përkthyer në gjuhën serbe nga Shkëlzen Maliqi me të njëjtin titull “Razgovor O Brilijantima Jednog Decembarskog Popodneva” dhe është shoqëruar në faqen zyrtare të botuesit me një koment të mbushur me vlerësime të shumta për shkrimtarin e madh shqiptar.

Botimi në serbisht i “Brilanteve” është një përmbledhje e 11 tregimeve dhe novelave, të cilat autori i ka shkruar deri në vitin 2008. Mes tyre ka nga ato që nuk janë botuar kurrë më parë, por edhe nga ato që janë botuar dhe i rivijnë lexuesit në variantin e tyre të parë… Të gjitha mbartin nga një histori të veçantë.
Që kur shkroi “Në dheun e panjohur” Kadare e quan këtë tregim si gurin e parë kilometrik, pas së cilit do të niste krijimtaria e tij e vërtetë, për të vazhduar me grimca apo pjesë romanesh, si “Dosja e Orfeut”, një fragment i shkëputur nga “E Penguara-Rekuiem për Linda B.”

Çdo tregim dhe novelë në këtë libër ka historinë e vet për krijimin dhe vështirësitë kur kujtojmë mos botimin e veprës së parë letrare të Kadaresë me titull “Një vend i panjohur”, të cilin ai e përshkruan si një moment historik që shënon kilometra të distancës letrare të mbuluara që atëherë. Disa prej tregimeve të shkurtra u bënë më pas kapituj të një romani. Disa prej tregimeve janë ndryshuar për t’u përshtatur gjatë regjimit shqiptar në kohën kur shkruante Kadare”, komentojnë botuesit.

Për botuesin serb tregimet e Kadaresë marrin një rëndësi të veçantë, sepse sipas shënimeve rreth librit “Brilante e pasdites së dhjetorit” i ngjajnë një përzgjedhjeje të miniaturave të veprave të mëdha letrare të Kadaresë që përshkruajnë frymën e të gjithë korpusit të tyre”.

Së fundi Samizdat B92 shkruan se “Ismail Kadare është një shkrimtar që krijon hartë të tërë kulturore, me historitë, me pasionet, me folklorin, politikën dhe katastrofat e saj. Ai është shkrimtar universal me një traditë narrative që ka origjinën e saj nga Homeri.”

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme