Jakup Krasniqi promovon librin ku flet për bisedimet në Bruksel, demarkacionin e Specialen

Prishtinë | 29 Mar 2018 | 13:21 | Nga Besiana Dauti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka promovuar sot librin e tij “Arti i bisedimeve”, i cili flet për zhvillime që rezultuan nga bisedimet në Bruksel, çështjen e demarkacionit me Malin e Zi dhe Gjykatën Speciale, raporton Ekonomia Online.

Krasniqi tha se reagimet e tij përmes librit kanë qenë për dëmet politike që më shumë po i bëhet dëm të ardhmes sesa të kaluarës.

Ai shtoi se është i bindur që libri ka shumë mangësi sepse shumë nga shkrimet e tij janë shkruar me një frymë por duke i’u përgjigjur realitetit.

“Nuk është problem nëse vërtetë qëllimi i drejtësisë është që të qes në shesh drejtësinë, por kur drejtësia bëhet krejt politike dhe për t’ia ngarkuar një peshë një gjenerate dhe një kombi që nuk e ka, është vërtetë një padrejtësi shumë e madhe”, tha Krasniqi.

Hidajet Hyseni tha se ky libër përfshin vetëm disa mendime dhe analiza të Jakup Krasniqit dhe se është një ndërtim i llojit të veçantë të librit, si historik ashtu edhe politik.

“Jakup Krasniqi është një nga të paktët që e bën historinë dhe e dëshmon të kaluarën”, shtoi Hyseni.

Hyseni gjithashtu tha se Krasniqi kur ka qenë kryetar i Kuvendit nuk i kishte ndodhur të miratoj dhe të nënshkruaj tekste pa i shqyrtuar ashtu siç po ndodh me disa të tjerë.

Aktorja, Safete Rugova tha se libri i ri i Krasniqit është shembull ku gërshetohet vështrimi i historianit dhe veprimtarit të çështjes kombëtare lidhur me ngjarjet më të rëndësishme që viteve të fundit e kanë karakterizuar skenën politike dhe diplomatike të Kosovës.

“Ne aktorët kemi kënaqësi dhe privilegj kur lexojmë pjesë nga veprat e personaliteteve e sidomos kur janë kombëtar”, tha Rugova.

Sipas politologut Bardhyl Mahmuti, shembujt që sjell autori në këtë libër dëshmojnë për dëmet e mëdha që na ka shkaktuar diplomacia retroaktive dhe arti i (keq) bisedimeve.

Ky është libri i 13-të  me rradhë i autorit Jakup Krasniqi.

Të ngjashme