“Kam drojë për ty”, thotë Ragip Sylaj

Prishtinë | 17 Maj 2017 | 09:12 | Nga

Libri më i ri i poetit Ragip Sylaj, “Kam drojë për ty”, ka dalë nga shtypi dje nën përkujdesjen e shtëpisë botuese “Armagedoni”. Ky libër është i ndarë në këta pesë cikle: “Iluminim, Fundi i ankthit, Letrat, Pëlcitje zbrazëtie, Absurd i përkryer dhe Kryehimn”. Në poezitë e këtyre cikleve poeti u shkruan personave (jo personazheve), me të cilët, nëpërmjet këtij mediumi të ndjeshëm dhe shpirtëror, u flet për veten, për vendin e vet, për librat e vet, për bibliotekën e vet.

Marrë në planin e përgjithshëm, poezia e Sylajt është filozofike. Por, aty janë edhe kurbeti, malli për atdheun dhe për familjen, dashuria për nënën dhe për fëmijët; për babanë, për vëllanë dhe për miqtë. Është edhe pjesa veriore e Mitrovicës, të cilën autori, meqë nuk mund ta shkelë pa rrezik si dikur me tren, me autobus dhe me veturë, shpreh dëshirën e vet që një ditë të shkojë në atë pjesë qyshdoqoftë dhe me çfarëdoqoftë.

Drejtori i shtëpisë botuese “Armagedoni”, Berat Armagedoni, në një shënim të shkurtër të nxjerrë në kopertinën e pasme të librit të Sylajt, nën biografinë e tij të shkurtër, ka shkruar: “Nëse nuk e lexuat, lexojeni sipër këtyre fjalëve copën e biografisë së Ragip Sylajt. S’po jua ngre sytë lart që t’jua kujtoj se ai shkruan pesë e më shumë lloje të shkrimit letrar, po t’jua jap informacionin e parë për të dhe, më të rëndësishmin për një shkrimtar: se ai, edhe meqë nuk bëri studime për letërsinë, u lidh shpirtërisht me të që në bankat e gjimnazit dhe nuk iu ndanë njëri-tjetrit.

Deri më tash, i bënë bashkë, fiks 45 vjet jetë. Me këtë bashkudhëtare (me poezinë), Ragip Sylaj, duke portretuar veten dhe qenien e vet, ka paraqitur para nesh karakterin dhe formimin e vet dhe dëshirat që i ka e që s’mund t’i realizojë për shkaqe të ndryshme dhe të (pa)arsyeshme. Dhe, po në këto poezi të këtij libri, Sylaj ka shkruar për luftën, për barbarët, për lirinë, për librin fizik dhe atë të djegur, për njerëzit e djegur e të bërë hi, edhe për librat e ricikluar.

Letrapoezi, në vend të telegrameve, u ka shkruar nënës, babait, vëllait, miqve në Kosovë dhe atyre në Perëndim.

Të gjithëve, me plot mall; të gjithëve, me plot ndjenja; të gjitha letratpoezi, me përplot fara të figurave poetike, të pahasura te dikush tjetër. Prandaj, hiç dorë nga punët e tjera dhe ndalu këtu e bëj përpjekje të marrësh nga kjo pemë një copë dhembje, një copë gëzim, një copë trishtim, pastaj ulu shijoje fjalën artistike dhe ngadhënjimtare të këtij poeti të matur e të matshëm me të tjerët nëpër shumë konkurse letrare”.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme