Komuna e Prishtinës sivjet planifikon t’i përgjigjet nevojës urgjente për rinovimin e “Dodonës”

Prishtinë | 30 Jan 2017 | 13:04 | Nga

Rinovimi i hapësirës ku jepen shfaqje, emërimi i këshillit – prej të cilit edhe varet hartimi i plan-programit për këtë vit – dhe përzgjedhja e drejtorit, janë së paku tri nga detyrat e Drejtorisë së Kulturës në Komunën e Prishtinës, sa i përket teatrit të qytetit.

Udhëheqja e kësaj Drejtorie e ka quajtur 2017-n “Vit i ‘Dodonës’” dhe planifikon që sivjet t’i kthejë sytë kah institucioni që viteve të fundit nuk i ka pasur punët hiç mirë. Nevoja urgjente për rinovimin e ulëseve e dyshemesë së sallës, mosfunksionimi i Këshillit Drejtues qysh nga maji i vitit që shkoi dhe telashet me buxhet, janë veç disa prej sfidave me të cilat është përballur ky institucion, shkruan sot “Koha Ditore”.

Madje gjatë ditës së mërkurë të javës që shkoi teatri i qytetit për disa orë ka qenë i shkyçur nga energjia elektrike për shkak të mospagesës së borxhit. Këtë gjë gazetës ia kanë konfirmuar punonjës të “Dodonës” por jo edhe Fatime Mehmetaj, e cila është caktuar ushtruese e detyrës së drejtorit për periudhën tremuajshe. As Komuna e Prishtinës nuk është përgjigjur në pyetjet e gazetës lidhur me këtë gjë.

Por Mehmetaj ka thënë se gjatë kohës sa do të jetë në krye të “Dodonës”, bashkë me stafin e me përkrahjen e Drejtorisë për Kulturë të Komunës së Prishtinës do të punojë që t’ia kthejë shkëlqimin këtij teatri.

“Gjendja në të cilën është teatri ‘Dodona’ nuk është e mirë. Edhe sa i përket objektit, rinovimit, të gjitha këto, sallës së shfaqjeve. Karriget janë shumë të dëmtuara, gjithashtu tepihu, dyshemeja dhe teatri ‘Dodona’ kanë nevojë urgjente për rinovim. Por për këtë çështje kemi përkrahjen e Drejtorisë për Kulturë”, ka thënë Mehmetaj, e cila më herët ka qenë shefe në bibliotekën “Hivzi Sulejmani” në Prishtinë.

Veç tjerash, “Dodona” nuk i ka pasur punët mirë as me buxhet. Në dhjetor të vitit të kaluar ish-drejtori i këtij institucioni, Agron Shala, në një konferencë për medie kishte thënë se që nga nëntori i vitit 2015 Drejtoria e Kulturës e Komunës së Prishtinës nuk u kishte ndarë buxhet. Ani pse, sipas tij, kërkesa për vitin 2016 ka qenë 61 mijë e 400 euro për gjashtë shfaqje, një gjë e tillë nuk ka ndodhur. “Dodona” madje ka qenë e detyruar që ta anulojë edhe Festivalin tradicional të Fëmijëve

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme