Kosova midis 100 shteteve pjesëmarrëse në Panairin e Frankfurtit

Prishtinë | 11 Tet 2018 | 11:52 | Nga Ekonomia Online

Me tituj të 30 shtëpive botuese, duke prezantuar autorë dhe duke u bërë pjesë e aktiviteteve të bashkërenduara me Lidhjen e Shkrimtarëve Shqiptarë në Frankfurt, Kosova për të 15-n herë është bërë pjesë e ngjarjes më të madhe të librit në botë.

Shoqata e Botuesve të Kosovës, qysh prej ditës së mërkurë është vendosur në shtandin e rezervuar në hapësirën ku u hap edicioni i 70-të i Panairit të Librit në Frankfurt. Në shtandin e Kosovës janë ekspozuar botime të Akademisë së Shkencave e Arteve të Kosovës, Institutit Albanologjik e atij të Historisë dhe shtëpive botuese si “Koha”, “Buzuku”, “Faik Konica”, “Pema”, “Artini”, “Dija”, “Dukagjini”, “Albas”, “Titanik”, “Magjia e librit” e të tjera.

Panairi më i madh i librit në botë është hapur solemnisht me thirrjet e shkrimtarëve dhe politikanëve evropianë, të cilët mbrojnë – dhe kërkojnë – diversitetin në fushën e librit. Edicioni i vitit 2018 fokusohet në të drejtat e njeriut.

Presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier të mërkurën ka bërë hapjen zyrtare për lexuesit të ekspozitës së librit, me një fjalim që fokusohej në ruajtjen e lirisë në kohë të trazuara. Panairi i 70-të i librit në Frankfurt pritet të tërheqë mijëra vizitorë gjatë pesë ditëve, deri të dielën. Organizatorët e kanë vënë si temë të këtij edicioni të drejtat e njeriut – temë kjo që ka gjetur jehonë edhe në fjalimin e Steinmeier dhe të tjerëve që folën në ceremoninë hapëse.

Shoqata e botuesve të Kosovës, të mërkurën, nëpërmjet një komunikate për media, e ka konfirmuar pjesëmarrjen në një nga ngjarjet kryesore të librit, ku marrin pjesë më shumë se 7 mijë e 300 ekspozues prej më shumë se 100 shteteve të ndryshme. Aty thuhet se pjesëmarrja e botuesve kosovarë është mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë e Sportit, por jepen edhe detaje të tjera.

“Gjatë panairit prezantohen autorë shqiptarë, me ndihmën e kryeministrit të Republikës së Kosovës, të cilët janë prezentë në stendën e Kosovës: Adem Gashi, Çun Lajçi, Marigonë Kelmendi, Halil Matoshi, Valentina Saraçini, Ismail Syla e Abdullah Zeneli. Në bashkërendim me Lidhjen e Shkrimtarëve Shqiptarë në Frankfurt organizohen promovime e prezantime”, është shkruar në njoftimin e lëshuar nga ShBK. Promovimet e prezantimet do të organizohen të shtunën.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme