“Kryeqyteti i lakuriqëve” të Kosovës

Prishtinë | 27 Maj 2017 | 16:17 | Nga

Shkrimtari me prejardhje nga Deçani, i cili që njëzetedy vjet jeton në Hamburg të Gjermanisë, Arif Molliqi, veprimtarisë së vet letrare dhe letërsisë shqipe ia ka shtuar edhe një titull tjetër, një roman, i cili këto ditë i është botuar nga shtëpia botuese “Armagedoni” dhe i cili do të prezantohet gjatë pesë ditëve të Panairit të Librit në Prishtinë, i cili organizohet nga data 6 deri më 11 qershor.

Me rastin e botimit të këtij romani, me titull “Kryeqyteti i lakuriqëve”, poeti dhe kritiku Sadik Krasniqi, i cili këtë roman e ka lexuar sa ishte dorëshkrim, ka shkruar një recension të shkurtër për të, duke përmbledhur në të temën dhe motivet e romanit, po ashtu edhe mënyrën e të rrëfyerit në të.

Ja çfarë shkruan Sadiku për romanin e Molliqit: “Narracioni i romanit ‘Kryeqyteti i lakuriqëve’, i Arif Molliqit, është i ndërtuar mbi historinë e një martese të çuditshme apo, thënë më qartë e më mirë, rreth enigmës së njohjes së dy personazheve në rrethana dhe kohë shumë enigmatike. Mirëpo, thurja dhe shthurja e kësaj bote antagoniste nuk ndërtohet aq thjesht, as edhe izoluar, pasi aty defilojnë një mori personazhesh të infiltruar në rrethana dhe situata të veçanta, që në një rrugëtim të gjatë kohor, rrëfimin e bëjnë shumëdimensional. Kjo e fshehtë ka bërë që kjo prozë e gjatë ta prezantojë një rrëfim romanesk të dyfishtë: i pari që është i kapshëm dhe ka të bëjë me një botë njerëzore që kapërthen, me të cilat është e mbushur përplot jo vetëm bota shqiptare, por në përgjithësi njerëzimi; i dyti që nënkuptohet dhe ka të bëjë me misteret e nënvetëdijes, me rrathët e padukshëm dhe misteriozë brenda të cilëve lëviz, fatalisht, qenia njerëzore.

Në të dyja rastet rrëfimi romanesk i nënshtrohet estetikës krijuese dhe ruan ngjyrën e dramës njerëzore, që është shkaktuar dhe rri zgjuar brenda ndërgjegjes së protagonistit kryesor të romanit. Kjo shenjë alarmi i prish gjumin atij që është futur në rrathët misteriozë dhe si në ‘gostinë makbethiane’ e grish për të pasur kujdes nga e nesërmja…

Në romanin ‘Kryeqyteti i lakuriqëve’, Arif Molliqi me një rrëfim dinamik dhe me përshkrimet e bukura e mban lexuesin peng, sepse aty përfshihen ngjarje të shumta të cilat ndërlidhen me stilin e rrëfimit. Aftësia e jashtëzakonshme e autorit qëndron edhe në njohjen e botës që e rrethon dhe e takon çdo ditë. Ky është një roman i shkruar ndryshe për realitetin aktual të një vendi dhe të një shoqërie, roman që duhet lexuar së paku për kënaqësinë estetike që afron!”

Shënime për autorin

Arif Molliqi (1953) është nga Lluka e Epërme e Deçanit. Shkollimin fillor dhe Gjimnazin i kreu në Deçan. Studioi për gazetari në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës. Ka nisur të shkruajë dhe të botojë sa ishte gjimnazist. Fillimisht shkroi satirë me pseudonimet Boksh Baruti, Topuz Bërryli, më vonë poezi, prozë dhe dramë me emër dhe mbiemër të vetin.

Deri më tash ka botuar:
Simfoni për darkën e qenve, (poezi), Prishtinë, 1994
Në udhëkryq pa zhurmë, (poezi), Tiranë, 1996
Loja e Sarkofagut, (dramë), Tiranë, 1998
Psherëtima e zareve, (poezi), Tiranë, 1999
Përplasje (skica dhe mbresa), Shkup, 2000
Premiera e një pranvere, (poezi), Prishtinë, 2000
Kafka e ujkut, (roman), Tiranë, 2001
Dëshmorët jetojnë pas vdekjes, (monografi), Prizren, 2002
Shënime nga arkiva e qytetit D., (roman), Prishtinë, 2003
Pelegrinazh i ftohtë në qytetin D. (poezi), Prishtinë, 2004
Loja e dytë e Sarkofagut, (dramë), Prishtinë, 2004
Portret i pambaruar, (poezi), Prishtinë, 2006
Klubi Shqiptar Verrat e Llukës në Hamburg, (monografi), Hamburg, 2007
Gruaja e vizatuar nudo, (roman), Prishtinë, 2008
Një hije bënte rrugë, (poezi), Prishtinë, 2010
E dashura ime Eva, (poezi), Prishtinë, 2013
Simfoni për darkën e qenit, roman, Prishtinë, 2013

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme