Matanë oqeanit, një histori suksesi

Prishtinë | 04 Jan 2018 | 19:32 | Nga

Modesta Imeri është një nga personazhet më të veçantë që kemi intervistuar, në një moshë shumë të re dhe me suksese pafund, ajo na rrëfen përvojën e saj përtej oqeanit. Një aventurë dhe në të njëjtën kohë angazhim, që kërkon përgjegjësi dhe përkushtim maksimal. Në këtë intervistë, Modesta na zbulon më shumë për punën pranë Ambasadës së Kosovës në SHBA, planet dhe sfidat e radhës.

Na flisni pak më shumë për veten dhe sfidat e para drejt këtij rrugëtimi të suksesshëm?

Jam një vajzë kosovare, e cila deri tani ka pasur një jetë relativisht jo të zakonshme. E lindur ne qytetin e Pejës, në zemër të Dukagjinit, rrëzë Alpeve Shqiptare dhe buzë Drinit të Bardhë, fëmijërinë e kalova në një mjedis piktoresk jo vetëm për nga natyra, por edhe kombinimi i rrallë i shpirtit patriotik, frymës intelektuale dhe energjisë kulturore, që karakterizon shoqërinë pejane. U rrita në prehrin e gjyshërve, të cilët më mësuan domethënien e dashurisë së mirëfilltë, të çiltër dhe pa kufi. Kujtoj dy gjyshër të cilët i kushtuan jetët e tyre arsimit dhe punuan me vetëmohim për edukimin e gjeneratave të panumërta të studentëve në Kosovë. Paralelisht kujtoj edhe dy gjyshër të tjerë, të cilët ndonëse kishin përjetuar shtypjen e aspiratave të tyre intelektuale, falë mbijetesës së shpirtit të tyre të fuqishëm ndërmarrës, ndërtuan karriera shembullore dhe dhanë një kontribut të çmuar në komunitetin ku unë u rrita. Gjyshërit më rritën me plot dashuri, libra dhe muzikë. Por karakteri im u kalitë me shumë merak nga dy prindër të cilët me përkushtim të pashoq ia dedikuan çdo elementi të zhvillimit tim edhe para se unë të frymoja për herë te parë. Mjek dhe filantrop, dy prindërit e mi kanë qenë influenca kryesore në formimin tim si individ dhe mbeten idhujt e mi më te rëndësishëm. Nga ta mësova etikën e punës dhe optimizmin racional të cilët vazhdojnë të më udhëheqin. Nga ta mësova edhe zemërgjerësinë dhe mirëkuptimin të cilët vazhdojnë të më udhëzojnë. Sot, frymëzimi im më i madh janë motra dhe vëllai im i vogël të cilët mund t’i gjeni pranë meje në çdo hap. Familja ime dhe vendi im mbeten në mendjen dhe zemrën time kudo që gjendem. Si personaliteti, ashtu edhe puna ime janë pasqyrim i vlerave të tyre.

Keni studiuar në Amerikë, na flisni pak për përvojën tuaj gjatë studimeve?

Në moshën 17 vjeçare vendosa një oqean ndërmjet meje dhe familjes e vendit tim për të ndjekur edukimin e lartë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Studimi dhe jeta në Amerikë përbejnë dy eksperienca të veçanta dhe njëlloj formative. Unë kam pasur privilegjin të studioj në një ndër institucionet më prestigjioze në botë, përndryshe pjesë e klubit ekskluziv të universiteteve Ivy League. University of Pennsylvania (Penn) u ngrit në vitin 1740 nga themeltari i Shteteve të Bashkuara Benjamin Franklin dhe sot është lider në mesin e institucioneve akademike. Në këtë universitet unë studiova filozofi, shkenca politike, dhe ekonomi. I njohur për theksin mbi programe të integruara interdiciplinare, Penn më dha mundësinë të gërshetoj tri degët e mija të preferuara. Falë një sakrifice te hatashme nga familja ime, në Penn unë mësova nga pionieret e lëmive të ndryshme, iu nënshtrova sistemit më rigoroz të trajnimit profesional, punova me teknologjinë e fundit, dhe shijova qasje në resurset e pashtershme të College of Arts and Sciences, Wharton School of Business, Penn Law, dhe Annenberg School of Communication. Njëkohësisht, përfitova edhe nga komuniteti divers dhe entuziast i kampusit të Penn dhe qytetit të Philadelphias të cilët ishin nikoqir fantastik për kuriozitetin tim. Si kosovarja e vetme isha gjithnjë e mirëpritur, si nga miqtë dhe bashkëpunëtorët e mi Republikan, ashtu edhe ata Demokrat. Me raste kam gëzuar edhe mundësine e të qenët element unifikues për këto dy grupe dashamirësish. Kur nisesha për herë të parë në Amerikë, prindërit më porositën se që nga ajo ditë unë nuk do ta përfaqësoja vetëm veten time, por edhe familjen dhe vendin tim. Që nga ai moment, çdo veprim i imi ka qenë i informuar nga ky fakt.

Cili është angazhimi juaj aktual?

Pas përfundimit të studimeve, si e sapodiplomuar edhe unë u ballafaqova me një vendim kritik për të ardhmen time. Mirëpo, për dallim nga të rinjtë e tjerë, edukimi im më ofronte mundësinë të zgjidhja punësim nga crem de la crem i korporatave Amerikane dhe ndërkombëtare. Megjithatë, për mua ishte shumë e rëndësishme të gjeja një mënyrë për t’i kontribuar vendit tim në ndonjë formë apo kapacitet. Njëherit, unë gjeta platformën adekuate në Ambasadën e Kosovës në Washington. Aktualisht, kam nderin dhe kënaqësinë të punoj pranë një profesioniste të palodhshme dhe personalitieti inspirues si ambasadorja Vlora Citaku.Të përfaqësosh një vend si Kosova në Washington, në Kombet e Bashkuara dhe në forume tjera të larta ndërkombëtare nuk është një ecje në park. Dinamika ekzistuese e politikbërjes në Amerikë e bën këtë edhe më sfiduese. Sidoqoftë, për mua ekspozimi ndaj këtij ambienti është një mundësi për të vazhduar zhvillimin tim profesional teksa i vë në dispozicion të vendit tim ato aftësi, të cilat i posedoj. Jam e lumtur që nën udhëheqjen e mrekullueshme të ambasadores Citaku, Kosova po kultivon një përfaqësim diplomatik dinjitoz në Shtetet e Bashkuara, i cili është në shërbim të agjendës së saj euro-atlantike.

Sa është e vështirë për një vajzë si ju që të jetë e suksesshme?

Të jesh e suksesshme nuk është e lehtë në çfarëdo rrethane, aq më pak në ato me të cilat u ndesha unë. Rrethanat arbitrare mund të na ngadalësojnë, por ato nuk na definojnë dhe nuk duhet të na trembin. Do të ishte e thjeshtë për mua të pretendoj se parimet e shëndosha dhe puna me nder janë çelësat e vetëm të suksesit. Por e vërteta është se kalimi i pengesave monumentale me të cilat jam përballur gjatë këtij rrugëtimi të shpejtë, ka kërkuar një sakrificë njëlloj monumentale. Kurrë nuk ka qenë e lehtë të qëndrosh për diçka, të luftosh për diçka apo të arrish diçka të jashtëzakonshme. Megjithatë, unë qëndroj prapa bindjes se asgjë nuk është e pamundur.

Cila është motoja që ju udhëheq drejt shtigjeve të reja?

Ajo çfarë më shtyn mua përpara është lumturia që gjej në punën time. Mendoj se çdo njeri ka potencial gjeniu brenda vetes. Prandaj është shumë e rëndësishme të eksplorojmë dhe të profilizohemi në moshë sa më të re, ashtu që të kemi kohë të mjaftueshme të mishërohemi me atë punë të cilën jemi lindur ta praktikojmë. Gjatë gjithë jetës sime kam kërkuar mësuesit më të mirë të mundshëm sepse dituria është investimi, i cili kthen interesin më të madh. Ben Franklin thoshte se nëse një njeri e zbraz portofolin mbi kokën e tij, askush nuk mund t’ja marrë atë. Unë gjej shumë gëzim në gjërat që bëj, por asnjëherë nuk jam plotësisht e vetëkënaqur dhe gjithmonë refuzoj të dorëzohem. Më shumë sesa një moto është kjo mendësi që më ka drejtuar deri këtu dhe vazhdon të më nxis përpara.

Së fundi mund të na zbuloni ambiciet tuaja për të ardhmen?

Kur flas për ambiciet e mia dua të jem e qartë se nuk jam aspak modeste në këtë aspekt. Unë nuk i kam të gjitha përgjigjet, por kam për qëllim t’i zbuloj ato dhe nuk do të humb as edhe një moment duke hezituar. Synoj të jem kreative në thurjen e karrierës sime dhe nuk kam aspak konsideratë për norma dhe limite. Hapin e ardhshëm do ta bëj me të njëjtin zell dhe kurajo që më sollën deri në këtë pikë. Se çfarë do të sjellin 22 vitet e ardhshme, nuk e di. Por mund të vini bast se unë do të jem gati për të gjitha. (Revista Flatra)

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme