Ministria hedh poshtë akuzat për shkelje ligjore me projekte filmike

Prishtinë | 25 Jan 2017 | 11:06 | Nga

Më shumë se tre muaj pas kërkesës së një grupi kineastësh për të hetuar Qendrën Kinematografike të Kosovës, nëpërmjet një raporti që ende nuk është nënshkruar nga anëtarët e komisionit, Ministria e Kulturës ka konkluduar se nuk ekziston asnjë nga pretendimet për shkelje ligjore.

Në tetor të vitit të kaluar, institucioni më i lartë kulturor në vend kishte themeluar një komision prej gjashtë anëtarëve për të shqyrtuar ankesat për konflikt interesi e shkelje ligjore gjatë përzgjedhjes së fituesve të konkursit për projekte filmike të QKK-së, shkruan sot “Koha Ditore”.

Përfaqësues të Unionit të Artistëve të Filmit të Kosovës, shoqatës “Arte 7” dhe Fakultetit të Arteve të Universitetit të Prishtinës, qenë takuar edhe me ministrin e Kulturës, Kujtim Shala, për t’i kërkuar emërimin e një komisioni që do të merrej me shkeljet që ata pretendojnë se janë bërë nga udhëheqja e QKK-së. Paraprakisht, UAFK-ja dhe “Arte 7” i ishin drejtuar me ankesë me shkrim Ministrisë së Kulturës, sekretarit të këtij institucioni dhe Zyrës ligjore për të kërkuar anulimin e rregulloreve dhe konkursit të Qendrës Kinematografike të Kosovës për financim të projekteve.

Përgjigjja e MKRS-së në tetor ka qenë një komision i kryesuar nga Bislim Bislimi dhe anëtarët Valon Ibraj, Mehdi Uka, Fëllënza Zhuri-Dalladaku, Valon Kashtanjeva dhe Feim Hoxha. Raporti i këtij komisioni nuk është bërë asnjëherë publik dhe madje anëtarët ende as nuk kanë hedhur nënshkrimin në të.

Por, sipas Ndue Ukajt, shef i kabinetit të ministrit të Kulturës, Kujtim Shala, nga shqyrtimi preliminar, del që nuk ekziston asnjë nga pretendimet për shkelje ligjore.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme