MKRS përmbush një kriter për anëtarësim në UNESCO, fillon punën Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore

Prishtinë | 06 Shk 2018 | 11:23 | Nga Mehmet Krasniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka prezantuar fillimin e punës së Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore, raporton Ekonomia Online.

Sipas tij, ky organ inspektues në fushën e trashëgimisë kulturore parashihet me aktet normative që rregullojnë këtë fushë dhe themelohet për herë të parë si pjesë e veçantë e strukturës organizative në ministrisë.

I pyetur nga EO rreth aplikimit për anëtarësim në UNESCO, ai tha se fillimi i punës së këtyre tre inspektorëve është një nga kushtet për anëtarësim në këtë mekanizëm. Ai siguroi se edhe institucionet tjera janë duke punuar në këtë drejtim.

“Ne tashmë kemi një mekanizëm në kuadër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, po udhëhiqet nga zyra e kryeministrit, është e përfshirë ministria e Arsimit, ministria e Kulturës dhe ministria e Jashtme. Ministria e Kulturës është duke i kryer detyrat e veta, po them që në masë të madhe i ka përfunduar të gjitha ato që kërkohen dhe një prej ndoshta kritereve që është dashtë për anëtarësim në UNESCO të jenë edhe inspektorët të cilët tashmë veç i publikuam”.

“Jemi duke punuar edhe për Ligjin për Trashëgiminë Kulturore edhe pse Ligjin e kemi. Ju e dini që edhe Ligji për të Drejtat dhe Liritë Fetare ka kaluar në Qeveri dhe po mendoj që jemi duke i përmbushur të gjitha kërkesat e nevojshme”.

“Ndërsa sa i përket punëve të Ministrisë së Kulturës ne jemi në koordinim të plotë edhe me ambasadat e huaja që janë në Kosovë dhe me të gjithë mekanizma që po ndihmojnë dhe lobojnë për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO”.

Ky mekanizëm do të ketë tre të punësuar: Berat Hadri, udhëheqës i zyrës për trashëgimi kulturore (Kryeinspektor), Labërie Dakaj, inspektore dhe Pajtim Zogaj, inspektor.

Sipas ministrit Gashi, inspektorët do të nisin punën që nesër.

Kryeinspektori, Berat Hadri, njoftoi se deri më 31 mars do të përfundojë hartimi i rregullores për Inspektoratin e Trashëgimisë Kulturore.

“… jemi në hartim të rregullores. Është bërë një draft rregullore lidhur me kompetencat dhe detyrat e Inspektoratit për Trashëgimi Kulturore. Ne mendojmë që në tremujorin e parë të këtij viti të përfundojë rregullorja, konkretisht deri më 31 mars”, tha Hadri.

Themelohet për herë të parë në Kosovë, Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore të Kosovës

Të ngjashme