Mozaiku i Nënë Terezës në Muzeun e Kosovës, në librin e rekordeve botërore “Guinness”

Prishtinë | 10 Pri 2017 | 16:59 | Nga

Mozaiku më i ri i muzeut Kombëtar të Kosovës me portretin e Nënë Terezës, vepër e artistit nga Shqipëria, Saimir Strati, ka hyrë zyrtarisht në librin e rekordeve botërore “Guinness”.

Kjo vepër në madhësi prej 2 metra e gjysëm me katër metra dhe me një sipërfaqe prej 10 metra katrorësh, është ndërtuar me një milionë e gjysmë kapëse teli. Puna për këtë vepër ka filluar në muajin nëntor të vitit 2016 dhe ajo ka përfunduar më 28 nëntor, ditën e flamurit shqiptar dhe të pavarësisë së Shqipërisë, atdheut të artistit të kësaj vepre. Kurse në shkurt të këtij viti mozaiku u njoh zyrtarisht nga Guinness si mozaiku më i madh në botë nga kapëse teli.

Drejtori i Muzeut të Kosovës, Skënder Boshtrakaj në një intervistë për Anadolu Agency (AA) tha se artisti Saimir Strati, më këtë vepër ka shtjelluar temën e refugjatëve.

“Kapëset janë dyngjyrëshe të bardha dhe ngjyrë kafe dhe këto kapëse janë një ide shumë unike e maestro Stratit që i referohen një drame të vitit 2016 që ka lidhje me eksodin e madh nga Lindja e Afërt drejt Evropës me shumë flukse refugjatësh edhe me shumë rrethoja teli nëpër kufijtë e shteteve”, tha Boshtrakaj.

Duke theksuar se viti 2016 ishte po ashtu një vit shumë i veçantë sepse Vatikani e njohu shenjtërinë e Nënës Terezë, Boshtrakaj theksoi se Strati ka lidhur temën e refugjatëve me Nënën Terezë, sepse sipas tij, po të ishte e gjallë edhe ajo do të kishte thënë diçka dhe do të kishte kërkuar një mëshirë më të madhe të vendeve për këta njerëz fatkeq.

“Në anën tjetër fillon një rrugëtim tjetër i politikës dhe diplomacisë botërore me nënshkrim të marrëveshjeve dhe të dokumenteve të ndryshme të cilat domosdoshmërisht kapen me kapëse teli dhe Strati thotë këto kapëse teli po shkojnë dëm sepse po aq që nuk ka dhe dokumentet nuk po vlejnë dhe ky është momenti i lindjes së idesë kur thotë ‘Unë dua të bëj diçka me kapëse teli që nuk shkon dëm’”, tha Boshtrakaj.

Kurse Saimir Strati, i cili është tanimë është 10 herë fitues i rekordeve Guinnes në fushën e artit, në një intervistë telefonike për AA tha se mozaiku është përfunduar tre ditë më parë prej asaj që është planifikuar, meqë edhe pse puna me kapëse teli është e vështirë, ai kishte punuar për nga 16 orë në ditë.

Megjithatë siç thekson Strati një pjesë e meritës i takon edhe përfaqësusve të Muzeut Kombëtar të Kosovës, të cilët e kanë mbështetur dhe e kanë pritur atë jashtëzakonisht mirë.

“Është kënaqësi shumë e madhe dhe një ëndërr e plotësuar për të dhjetën herë, sepse unë tani jam mbajtësi i dhjetë rekordeve Guinnes dhe nuk është pak sepse jam i vetmi artist në botë dhe kjo më bën të ndihem edhe i lumtur edhe krenar, sepse e kam bërë në emër të kombit shqiptar”, tha Strati.

Artisti, i cili ka kushtuar veprën e tij fatit të miliona refugjatëve, shtoi se të gjithë artistët edhe intelektualët e tjerë, qoftë me veprat e tyre e qoftë me fjalë, kanë për detyrë të përqojnë mesazhin që bota diplomatike duhet t’i trajtojë të gjithë njerëzit në mënyrë të barabartë, në mënyrë që sipas tij, të ketë sa më shumë humanizëm.

“Nënë Tereza me shpirtin dhe me veprën e saj, sepse më e rëndësishme është vepra, na ka lënë një pasuri shumë të madhe, e cila është paqja dhe pikërisht edhe mesazhi në këtë vepër ka qenë ‘Paqja Fillon me një Buzëqeshje’. Gjithë njerëzit janë të lindur një lloj dhe dua të them që misioni i saj për paqen duhet të gjejë mbështetje. Kjo është arsyeja pse e kam zgjedhur Nënë Terezën dhe mesazhin e saj dhe e kam vendosur aty”, tha Strati.

Në anën tjetër, përkundër asaj që këtë vepër, e cila syononte rekordin Guinnes e kërkonin shumë vende të botës, drejtori i Muzeut të Kosovës, Skënder Boshtrakaj tha se ai donte me çdo kusht që ajo të bëhej pjesë e Muzeut të Kosovës, për hir të temës së fuqishme të ekzodit, e cila sipas tij, mjerisht ende nuk ka përfunduar edhe në Kosovë. Ai po ashtu tha se një pjesë e madhe të artdashësve e kanë cilësuar këtë si lajmin më të mirë kulturor gjatë vitit 2016 nga Kosova.

Ndryshe, prezantimi zyrtar i mozaikut, ku do të marrë pjesë edhe autori i tij Strati, do të mbahet në fillim të muajit prill gjatë Konferencës Rajonale të organizuar nga Muzeu Kombëtar të Kosovës dhe Rrjetit Ballkanik të Muzejve.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme