MPJ shpërblen fotografitë dhe shkrimet që promovuan Kosovën

Prishtinë | 07 Dhj 2017 | 20:05 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës (MPJ) ndau sonte çmimet për fotografitë dhe shkrimet më të mirë për promovimin e Kosovës për vitin 2017.

Çmimin për fotografinë më të mirë e ndanë Agon Nimani dhe Armend Nimani, kurse për shkrimin më të mirë promovues, MPJ shpërbleu gazetarin e Kohës Ditore, Artan Krasniqi.

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, në ceremoninë e organizuar në Muzeun Kombëtar, tha se Kosova ka mungesë të tregimeve dhe fotografi që tregojnë Kosovën reale, e cila sipas tij, është një vend i bukur.

“E bukur. E pasur. E re. Ky është trinomi i Kosovës. Kosovës natyrale, ashtu siç është. Sot, shumë vende nuk i kanë bukuritë e saj natyrore. Disave i mungojnë pasuritë. E të tjerat po plaken. Por, ky vend duket se ka probleme me imazhin. Imazhin që i krijuan të tjerët dhe branding që nuk e ka. Narracioni për të nuk është në nivelin e duhur. Dashuria në zbehje”.

“Pse-në e vërtetë e kësaj nuk e di as unë. Atë që di, ndiej dhe më mësoi gjyshi është se dashuria dhe malli për vendin nuk shuhen kurrë. Kudo që mund të shkoni. Ngado që do jeni. Nga Evropa në Amerikë. E nga Amerika në Japoni e Australi”, shtoi Pacolli.

“Ju mund të insistoni të më pyesni për pse-në e imazhit që nuk e duam, por unë vetëm mund të supozoj. Të supozoj se shkaktarët mund të kenë ardhur nga ata, që nuk
kursyen mjet për minimin e ekzistencës së shtetit të ri dhe për fat të keq edhe nga politika e brendshme, që vetëm se dërgoi ujë në lugun e mullirit të parëve”.

“Por, sot nuk do të merrem me analizën e shkaqeve dhe pasojave. Ashtu siç nuk do të pyes për të bëmat e të tjerëve. Thjeshtë, do të shpalos projektet se çka kemi bërë ne gjatë këtyre 100 ditëve dhe çka po synojmë të bëjmë në të ardhmen e afërt? Së bashku me Ju. Media e gazetarë, analistë e profesionistë, studiues e shkrimtarë, artistë e sportistë”.

Kreu i diplomacisë tha se këto fotografi do të vendosen “nëpër holle kudo nëpër botë”.

“Nga përvoja ime jetësore, kudo që kam shkuar dhe kam parë ndonjë shenjë apo gjurmë të Kosovës kjo më ka prekur shumë. Imagjinoni fuqinë që ka një fotografi apo thënie e bukur. Në veçanti për atë që Ju e keni në zemër. Atë që ju e doni e jeni i lidhur. Atë që shpirti Juaj e do. Kjo është fuqia e Diplomacisë Publike. Kjo është fuqia e PR-it. Këto fotografi dhe shkrime janë bërë për njerëzit që e duan Kosovën. Për të gjithë ata që janë sonte këtu. Të tjerët që nuk janë, por do t’i shohin. Gjithandej në botë, ku Kosova ka miq. Aty ku janë njerëzit e Kosovës. Holle të tjera të Institucioneve me rëndësi dhe ndikim”.

Me këtë rast u promovua dhe ueb-faqja e re kosovoabc.com, që u tha se i ka munguar vendit. Ajo do të përmbajë informata të azhurnuara dhe fotografi në kategorinë e atraksioneve turistike natyrore, muzikës, sportit, filmit, historisë, ekonomisë, marrëdhënieve ndërkombëtare, sistemit politik, kuzhinës tradicionale dhe intervistave me ndërkombëtarët, që jetojnë apo kanë investuar në Kosovë.

Image may contain: 1 person, standing and suit

Image may contain: 3 people, people standing and indoor

Image may contain: 4 people, indoor

Të ngjashme