“Muri i paqes…” i artistes kosovare ekspozohet në SHBA

Prishtinë | 18 Qer 2018 | 15:09 | Nga

Një pikturë e bën audiencën të shkelë mbi një moment kohe – duke ia mundësuar të ikë nëpërmjet imagjinatës dhe duke e lidhur nëpërmjet eksperiencave të përbashkëta. Peizazhet, çështjet e drejtësisë sociale, arti figurativ dhe kultura amerikane, të gjitha janë reflektuar në ekspozitën “ViewPoints 2018” të hapur në “Studio Montclair”.

Vepra të 65 artistëve të përzgjedhur nga më shumë se 800 aplikacione janë ekspozuar në edicionin e 21-të të “Annual Open Juried Exhibition” dhe do të qëndrojë e hapur deri më 16 gusht, transmeton “Koha Ditore” shkrimin e montclairlocal.news. Ekspozita po ashtu shënon herën e parë qysh kur galeria “Studio Monclair” e ka pasur rastin ta mbante aktivitetin “ViewPoints” në hapësirë të veten.

“Kjo ekspozitë pasqyron diversitetin e artistëve dhe sjell zërat e tyre pranë botës, nëpërmjet veprave të artit”, ka thënë Gary Garrido Shneider, i cili organizon ekspozitën.

“Secila vepër e ka një narracion dhe i qëndron kohës, sikur këngët që s’mund t’i hiqni nga mendja. Përfshihen vepra bardhezi, me ngjyrë, disa koncepte politike dhe imazhe që provokojnë biseda të mira”, ka shtuar ai.

Fotografitë e zbrazëta bardhezi e strukturat bosh të rikthyera nga natyra janë gjë karakteristike për artisten Martha Kerr. Fotografia e saj me titull “Dappled light through roof lattice” pasqyron një depo të shkretë, që ndodhet në Winslow të Arizonës. Kerr e ka kapur lindjen e diellit që kalon nëpërmjet çarjes së ndërtesës.

“Kam shkuar atje dhe jam ndalur kur kam parë hyrjen e depos. Kulmi ishte në gjendje të keqe dhe drita vallëzuese shtrihej në gjithë vendin. Kështu që ishte njëfarë dhurate”, ka thënë Kerr.

Kërpudhat e rritura në afërsi plehrash të kuajve, të rrethuara me rrjeta merimangash, pasqyrohen në serinë me fotografi të realizuar nga Floridian Kate Riddle.

“Këto kërpudha nuk mbijetojnë gjatë, kështu që kurdo që i gjej, i kap imazhet e tyre. Më pëlqen fotografia paksa e turbullt, e frikshme dhe e paorientuar, që është afër macros por jo krejtësisht makro- fotografi”, ka thënë Riddle.

Carole Lane ka ekspozuar veprën “Snowy on Glass”, që pasqyron një xham të thyer të makinave të braktisura në Atlantë. Në qendër të këtij imazhi e ka shtuar një shpend. “Më pëlqen të fotografoj gjëra që janë të dekompozuara, të kthehem në tokë. Dhe më pëlqejnë zogjtë”, ka thënë Lane.

Një skenë nga filmi “Malxolm X” i Spike Lee pasqyrohet në pikturën realiste të realizuar në akrilik nga Jose Pena, që shpërfaq një dhomë në rrëmujë, me shishe të pijeve alkoolike e dokumente të shpërndara gjithandej. Realizimi i kësaj pikture ishte proces po aq i komplikuar sa lëvizja e të drejtave civile.

“Procesi i krijimit ishte një katastrofë. Jam ndalur për disa herë. Pikturoja dhe pastaj kthehesha e shikoja prapë filmin. Filloja ta bëja pikturën më të butë dhe mundohesha të nxirrja gjithçka që të ishte sa më reale”, ka thënë Pena.

Bisedat për ndërtimin e një muri të gjatë në kufirin mes Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës kanë shërbyer si inspirim për artisten Juna Skenderi. Artistja 31-vjeçare ka shkuar me një vizë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nga Kosova, më 1996, bashkë me familjen e saj, kur ishte vetëm 9 vjeç. Familja e saj e kishte zgjatur qëndrimin dhe nuk ka mundur të kthehej në Kosovë për shkak të konfliktit. Skenderi e ka qëndisur veprën “Peace Wall or Border Flag” (Muri i paqes apo flamuri i kufirit) duke përdorur perin e zi në pëlhurë. E shikuar prej poshtë, muri ngjason me një rrethojë me kunja, që po ashtu aludon në ëndrrën amerikane të pronësisë mbi shtëpinë.

“Pas zgjedhjeve të vitit 2016, si përfituese e lejeqëndrimit të njohur si ‘DACA’, kjo është mënyra ime e përballjes me mundësinë e kthimit në Kosovë. Kur administrata ka bërë thirrje të hapur për ta dizajnuar murin e kufirit, unë në vend të kësaj desha ta bëja një mur të paqes apo një flamur kufiri, duke përdorur penj të zi”, ka thënë Skenderi.

Artistja Donna Bassin, me veprën “We the People. Sufiyyah.7, 2017” pasqyron një grua të re, të mbështjellë në skaj me flamurin amerikan, tek balancon një shportë frutash mbi kokë, e që thekson potencialin e shkrirjes së banorëve të vendit me punëtorët. Ndërsa vepra “American Portraits” (Portrete amerikane) e Michael Endy, përfshin imazhe të rikrijuara nga kultura mitologjike e artefakteve të njohura si “Americana”. Disa prej artistëve kanë gjetur inspirim edhe jashtë kufijve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Fotografi Jean-Paul Picard e ka inspiruar veprën e vet në një zonë ndërtimi në të cilën kishte hasur teksa po vizitonte qytetin kanadez, Quebec City.

Në përgjithësi vizitorët e ekspozitës “ViewPoints 2018” e marrin një imazh të përzier të reflektimeve politike, një pikëvështrim mbi botën në mënyra jo të pritshme dhe mbase edhe një mirëkuptim më të thellë mbi gjendjen humane.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme