Muzika epike zë vend në “Flakën e Janarit”

Prishtinë | 30 Jan 2017 | 09:13 | Nga

Një nga aktivitetet përcjellëse të manifestimit shumë-kulturor “Flaka e Janarit 2017”, që sivjet solli risi, ka qenë edhe aktiviteti me muzikë epike, që ka pasur edhe karakter shkencor, debatues e muzikor, ngase përveç se u kënduan këngë epike dhe u vallëzua, pati edhe prezantime të punimeve shkencore, por edhe debat rreth këngëve e melodive.

Rreze Kryeziu, muzikologe, në një kumtesë të sajën, ka folur për këngët dhe vallet epike dhe historinë e tyre. Me theks të veçantë ajo është ndalur tek eposi i kreshnikëve, sikurse që foli edhe për karakteristikat e përgjithshme të folklorit, që paraqet identitet kombëtar. Ajo tha se shumica e këngëve epike janë anonime, kurse instrumentet që më së shumti përdoren janë çiftelitë, sharkitë, fyejt, defet, tupanët, xurlat, lahutat e instrumente të tjera, kurse ajo nuk la pa e përmendur edhe rolin e gruas në këngët epike.

Kushtrim Jakupi, muzikolog, ka folur për veçoritë e këngëve kreshnike, që sipas tij janë këngë njëzëshme, me apo pa melodi të shoqëruar me instrumente. Sipas tij, këngët epike shqiptare kanë veçori unike e vlera universale, kanë shtrirje modale melodike dhe se me këto këngë janë marrë shumë studiues dhe është ndriçuar shumëçka. Jakupi ka folur edhe për veçoritë dhe vlerat e këtyre këngëve.

Koreografi Dilaver Kryeziu, është ndalur te vallet e Karadakut dhe përmendi disa nga to si: “Vallen e Deli Agushit”, “Vallen e Preshevës”, “Vallen e Gjilanit”, “Vallen e Topallit”, “Vallen e Fejzës”, “Vallen e Tokës” e valle të tjera, sikurse që nuk la pa i përmendur edhe valltarët e njohur gjilanas, që përfaqësuan Gjilanin e Kosovën kudo nëpër botë.

Me radhë janë paraqitur rapsodët Xhemajl Berisha që ka kënduar këngën “Bylbyl”, Fehmi Leka – “Prej Prokuple deri në Nish”, Qazim Hajdari – “Në Mitrovicë na rrahu teli”, Selajdin Berisha dhe Halim Gërbovci – “Kënga e Muhaxhirëve”, pastaj Ramadan Agaj dhe Rexhep Abazi – melodi me kavall e me fyell, sikurse që u luajtën vallet e njohura nga Rajoni i Karadakut, të luajtura nga anëtarët e SHKA “Bajram Curri “ nga Shurdhani dhe të përcjella me xurle e tupanë.

“Flaka e Janarit” vazhdon me aktivitetet “Xixat e Flakës” të hënën, Orën e Madhe Letrare dhe Konkursin Letrar “Pena e Flakës”, për të kulmuar me “Fest Flaka”.

Bashkim Nexhipi, udhëheqës i Njësisë për Kulturë, Rini e Sport, ka thënë se qysh tashti duhet menduar për edicionin e ardhshëm të “Flakës…”, të cilën e ka pasuruar edhe ky zhanër i muzikës, kurse një kontribut të çmuar të këtij evenimenti e dhanë edhe Qendra për Trashëgimi Kulturore, Muzeu i Qytetit dhe Bekim Ismajli, e meritat më të mëdha shkojnë për kryetarin e komunës, Lutfi Haziri, i cili i ka përkrahur këto aktivitete.

folklor1

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme