Në Zym nisin “Takimet e Gjeqovit”, Thaçi vlerëson figurën poliedrike të Gjeqovit

Prishtinë | 14 Tet 2017 | 15:23 | Nga

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, mori pjesë sot në edicionin e 46-të të manifestimit letrar, kulturor e shkencor “Takimet e Gjeçovit”, që po mbahet në Zym të Hasit.

Me këtë rast, Thaçi tha se është i nderuar që sot gjendet këtu në Zymin legjendar, në këtë vendbanim emblematik të Hasit.

“Jam në Hasin e besës, bujarisë dhe sakrificës në të gjitha periudhat e historisë së Kosovës, theksoi presidenti Thaçi.

Ai më tej tha se Zymi ka një histori të veçantë, ngase ky emër lidhet me punën e palodhshme të patriotit të shquar të fazës së vonë të Rilindjes Kombëtare, me emrin e Shtjefën Gjeçovit.

“Një intelektual me mendje të rrallë, At Shjefën Gjeçovi ishte figurë poliedrike: arkeolog, etnograf, mbledhës i folklorit, autor i disa librave e mbi të gjitha mbledhës dhe sistemues i “Kanunit të Lekë Dukagjinit”, i kësaj kryevepre, që njihet si kod juridik dhe zakonor i shqiptarëve për një kohë të gjatë”, vijoi presidenti Thaçi, duke shtuar më tej se At Shtjefën Gjeçovi i përket plejadës së patriotëve më të shquar të tri dekadave të fillimit të shekullit njëzet.

“Ai ishte në kontakt të vazhdueshëm me ideatorin e pavarësisë së Shqipërisë, Hasan Prishtinën, me Dedë Gjo Lulin, Bajram Currin, Azem Bejtën dhe patriotë tjerë të kohës. Prandaj idetë e tij përparimtare për unitetin kombëtar pavarësisht bindjeve fetare, përhapja e librit shqip, lidhjet me intelektualët dhe patriotët e kohës, bënë që ai një ditë vritet në pritë nga qarqet antishqiptare, në vitin 1929”, theksoi i pari i vendit.

Presidenti Thaçi ndër tjera tha se Zymi i Hasit njihet si vend me natyrë të egër, por edhe si vend nga ku dolën figura të mëdha kombëtare si Pjetër Bogdani, Katarina Josipi, Anton Pashku dhe shumë intelektualë që me veprën e tyre ndikuan në emancipimin e këtyre viseve.

“Hasi i figurave madhore historike, kulturore e kombëtare hapi një kapitull të ndritur në kohën e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Hasjanët nuk hezituan asnjë çast t’i bashkohen luftës çlirimtare”, theksoi presidenti Thaçi, duke shtuar faktin se Hasi ishte arteria kryesore për sjelljen e armatimit në Kosovë, por edhe të luftëtarëve të lirisë.

“Hasi ishte fushëbeteja e luftërave të mëdha. Hasi ishte kjo arenë e fushëbetejave që nxiti edhe komunitetin ndërkombëtarë të mendoj seriozisht për Kosovën”, shtoi i pari i vendit, duke theksuar se “Sot, përballë bjeshkëve të Pashtrikut legjendar, kujtojmë me respekt dhe përkulemi para të gjithë dëshmorëve të Hasit të rënë për lirinë dhe pavarësinë e vendit”.
Ai më tej i falënderoi të gjithë banorët e Hasit për kujdesin dhe përkrahjen e treguar për luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Dëshiroj që edhe në rrafshin personal, edhe në atë institucional, t’ju falënderoj secilin prej jush, çdo familje këtu, që jeni kujdesur për të gjithë luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që i hapët shtëpitë, u treguat bujarë, u treguat trima”, u shpreh Presidenti Thaçi.

Ai ndër tjera tha se “jam vet dëshmitar i përpjekjeve tuaja në fshatin tuaj, në kohë me shi, me borë… ditën, natën… por vullneti, shpresa, optimizmi, guximi juaj në fund fituan mbi represionin e ushtrisë dhe policisë serbe. Prandaj Hasi dhe Zymi janë emblema të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës”, theksoi presidenti Thaçi.

Në fund, i pari i vendit tha se nuk ka si të mos shprehim konsideratë për të gjithë ata intelektualë e veprimtarë që mbajtën të gjallë Manifestimin letrar dhe kulturor “Takimet e Gjeçovit”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme