Olga Tokarzcuk, fituesja e parë polake e “Man Booker International Prize”

Prishtinë | 24 Maj 2018 | 15:08 | Nga

Londër, 24 maj – Olga Tokarczuk është bërë shkrimtarja e parë polake që ka fituar çmimin letrar “Man Booker International Prize”. Tokarczuk e mori çmimin që përfshin vlerën monetare prej 50 mijë funtesh për romanin e saj me titull “Flights”. Ajo do ta ndajë shpërblimin me përkthyesen Jennifer Croft, bën të ditur BBC, transmeton “Koha Ditore”.

Çmimi vjetor letrar u ndahet veprave më të mira të zhanrit fiktiv të përkthyera nga të gjitha vendet e botës. Fitues të mëparshëm të këtij çmimi përfshijnë edhe David Grossman dhe Chinua Achebe. Pesë juri e kanë përzgjedhur veprën “Flights” nga gjithsej 108 aplikime dhe e kanë shpallur fituesen në një ceremoni të mbajtur në Londër.

Lisa Appignanesi, që ka kryesuar jurinë, e ka cilësuar Tokarczukun “shkrimtare me zgjuarsi të mrekullueshme, imagjinatë dhe mendje letrare”. Në një komunikatë për shtyp nga “Man Booker International”, vepra fituese “Flights” është përshkruar si “roman që ndërlidh fragmente nga shekulli shtatëmbëdhjetë me ditët e sotme lidhur me tema të udhëtimit dhe anatomisë njerëzore”.

Në një prej tyre, anatomisti holandez Philip Verheyen zbulon thembrën e Akilit derisa ekzaminon këmbën e vet të amputuar. Çmimi ndërkombëtar, themeluar më 2005, është i ndarë nga “Man Booker Prize”, që u jepet romaneve më të mira të shkruara në origjinal në gjuhën angleze për çdo vit.

Tokarczuk është e famshme si romanciere në shtetin e saj të lindjes, ku ajo fillimisht ishte bërë e njohur si psikologe në Universitetin e Varshavës. Ajo ka shkruar tetë romane dhe dy përmbledhje me rrëfime të shkurtra. Përkthyesja Jennifer Croft i ka përkthyer veprat e saja nga polonishtja, spanjishtja e ukrainishtja në anglisht, dhe është redaktore në “Buenos Aires Review”.

“Flights” ka mposhtur në garë romane të shkruara nga fituesit e mëparshëm të çmimit, përfshirë Han Kang dhe Laszlo Krasznahorkai, që kishin marrë çmimin më 2016, respektivisht më 2015.

Secili autor që është përfshirë në listën e ngushtë automatikisht merr 1 mijë funte. Para vitit 2016, “Man Booker International” ndahej për çdo dy vjet dhe i jepej një autori për krejt veprimtarinë e tij.

Tokarczuk, 56-vjeçare, është një prej romanciereve më të famshme polake dhe ka fituar çmime të shumta kombëtare e të huaja letrare, përfshirë edhe “Nike Literary Award”, që është më prestigjiozi në Poloni.

Libri i saj i parë “The Journey of the People of the Book” ishte botuar më 1993. Që atëherë, veprat e saj bestseller janë përkthyer në më shumë se 25 gjuhë të botës. Ajo së fundi ka qenë bashkautore për skenarin e “Spoor”, një film polak që mori çmimin “Alfred Bauer Prize” në festivalin e filmit në Berlin dhe ishte propozimi polak për çmimin “Oscar” për filmin më të mirë në gjuhë të huaj për vitin 2018. Së fundi, ajo është prezantuar nëpër kryetituj të gazetave për kritikat që ia ka bërë qeverisjes së krahut të djathtë polak dhe historinë antisemite të shtetit të saj, gjë që ka shkaktuar të marrë kërcënime me vdekje nga nacionalistët e konservatorët.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme