Për librin e Ganimetit

Prishtinë | 17 Nën 2017 | 13:52 | Nga Berat Armagedoni

Autorin e këtij libri që ka lënë në dorëshkrim, para se të ndërrojë jetë, e kam takuar shumë vonë. Emrin dhe mbiemrin e tij i kam dëgjuar më herët sesa takimin e vonë që kishim, në Prishtinë, afër ndërtesës së Fakultetit të Filologjisë. Njohja me të erdh kështu: Një ditë vere, në mesditë, teksa me profesor Bardh Rugovën, në restorantin Amaro, po pinim kafe e po bisedonim për Rolin shprehës të foljeve në titujt e gazetave, për temën time të masterit në degën e Gazetarisë, më propozon të kontaktoj me një student të tij, të cilin e kishte mentoruar për punim të diplomës së masterit në degën e Gjuhës Shqipe. Ma jep emrin, pastaj edhe numrin e tij të telefonit.

Gjatë ditës i telefonoj Ganimet Klaiqit, të cilit i bëj me dije kush jam, nga kush e kam marrë numrin e tij të telefonit dhe për arsyen e thirrjes. Ma kërkon postën elektronike dhe, ende pa i rënë terri tokës, ma dërgon punimin e vet prej 71-faqesh në Microsoft Word, me titull Njoftueshmëria në titujt e gazetave në Kosovë. Duke pasur në mendje kriteret e Rregullores së Studimeve të Masterit të Universitetit të Prishtinës për Fakultetin e Filologjisë, ato për hartim të punimit të diplomës, teksa e shoh me sy punimin e Ganit, më mbushet mendja se kriteret kryesore i ka përmbushur: ka në rregull faqen titullare, ka numrin e faqeve të kërkuara (70), ka tipin e shkronjave që kërkohen (Times New Roman), edhe hapësirën mes rreshtave (1.5). Së këndejmi, ka fusnotat. E ka edhe literaturën. Ka, madje, edhe indeksin e autorëve dhe të nocioneve të cilët nuk i kanë mbi 90 për qind e punimeve që janë mbrojtur në Universitetin e Prishtinës, absolutisht ata që janë mbrojtur në kolegje private. Ka kulturë gjuhësore të mirë, edhe interpretim teorik dhe analizë praktike. I bëj edhe këtë inspektim dhe nxjerr këtë përfundim, se punimi im dallon nga i tij për arsye se unë e kërkoj stilin dhe figurat në titujt e gazetave, Gani titujt njoftues, të cilëve, siç do të vini re po qe se e lexoni këtë libër, u bënë analizë semantike dhe gramatikore.

Komunikimin me Ganin, rreth punimit tim dhe të tij, e vazhdojmë në Facebook. Dhe, një ditë prej ditësh, saktësisht më 15 maj të vitit 2016, takohemi në vendin që lexuat në fjalinë e dytë, e bisedojmë më gjatë sesa gjithë kohën që kemi shkruar. Në mbarim të takimit më uron suksese për master, edhe i uroj për arritje të tjera në shkencë, pa qenë në dijeni për gjendjen e rëndë shëndetësore të tij. Prej atëherë nuk takohemi më asnjëherë, as nuk ndërrojmë më asnjë fjalë, për të gjallë të tij, askund. Dhe, fiks një vit pas takimit të parë me të, më 15 maj 2017, nga mediet marr një njoftim të keq. Si në të gjitha rastet e tjera kur vdekja na merr njerëz, kur na merr familjarë, kur na shkëputë profesorët, gazetarët e kë tjetër jo nga mjedisi, pa e favorizuar dhe bërë dallimin e të pasurit nga i varfri, të voglit nga i madhi, të riut nga i vjetri, të dijshmit nga i padituri, e merr, parakohshëm, edhe gazetarin Ganimet Klaiqi, me të cilin, shumë gazetarë të medieve të Kosovës, sot rrëfejnë kujtime të mira për punën që e bënin bashkë në medie, edhe shumë profesorë të tjerë më flasin për punën që e bënin bashkë në fakultet.

Megjithatë, Ganimeti ende është këtu. Është dhe ndjenja për të që s’shuhet kurrë. Ai ka lënë pas familjarë. Ka lënë edhe këtë dorëshkrim, këtë studim për njoftueshmërinë në titujt e gazetave në Kosovë, i cili, meqë kam parë se filloi t’i keqpërdorej sepse, vetë i ndjeri, sa ishte gazetar dhe sa ishte profesor, ua kishte shpërndarë shokëve dhe studentëve për nevoja personale, sa për shkrim të titujve njoftues, aq dhe për t’u shërbyer për hartim të punimeve të masterit, me temë bosht të njëjtë, nisa ta nxjerr në dritë. Por, jo siç kishte mendjen ai, për të bërë mirë, kishin mendjen dhe të tjerët. Disa prej atyre që kërkonin ta kishin punimin e tij vetëm sa për lexim, po ata e keqpërdorën. S’është vendi t’i përmend këtu ata. Nëse kanë mend, do t’u mjaftojnë këto fjalë tashti që, ata që kanë “vjedhur” fjali e paragrafë nga ky punim sa e kishin në Word, t’i plotësojnë tekstet e veta me fusnota nga ky libër, me emër dhe mbiemër të autorit, me titull të librit, me vend të botimit, me botues, me numër të faqeve. Thjesht, ta bëjnë një punë dhe punim korrekt që s’e kanë bërë, të cilën mund ta lexojnë njerëzit, edhe ta dallojnë plagjiaturën aty ku është e pranishme. Kjo mbetet për t’u bërë nga ta, kurse nga unë të shkruhen edhe këto fjalë për këtë libër.

Titulli i këtij libri është i njëjti me dorëshkrimin, vetëm se është më i shkurtër. Siç mund të vini ri, është hequr në Kosovë. Tekstit i është bërë edhe korrektim gjuhësor dhe është përmirësuar literatura, duke nisur nga parimi i hartimit të bibliografisë, së pari mbiemri, pastaj emri i autorit. Pastaj është hequr indeksi i autorëve dhe ai i nocioneve pasi që nuk përmbanin numër të faqeve dhe në disa raste përsëriteshin të njëjtit. Së këndejmi, është shkruar kjo parathënie, është shkruar përkushtimi nga familja dhe shënimi i shkurtër, në kopertinën e pasme të librit, për jetën dhe punën e Ganit, nga shtëpia botuese “Armagedoni”. Tjetër ndryshim nuk është bërë, por as dhe ndonjë plotësim. Me një fjalë, ani pse botohet pas vdekjes së autorit, ky është dorëshkrimi i tij origjinal, botuar nën përkujdesjen e familjes së tij, zonjës Emine Hoda-Klaiqi.

(Parathënia e librit “Njoftueshmëria në titujt e gazetave” të gazetarit të ndjerë, Ganimet Klaiqi. Të gjitha të ardhurat nga shitja e këtij libri do t’i jepen familjes Klaiqi)

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme