“Pika që shpon gurin”, libër me poezi i Shemsi Makollit

Prishtinë | 17 Gus 2016 | 13:14 | Nga

Këto ditë doli nga shtypi libri me poezi “Pika që shpon gurin” nga autori Shemsi Makolli. Sipas recensentit të librit, Shefqet Dibrani, ky krijim vjen si rezultat i përjetimit letrar poetik dhe filozofik, duke përcaktuar saktësisht vlerën letrare që ka kjo poezi, e cila tashmë ka dal në horizont duke e bërë poetin zë që ka krijuar individualitet letrar.

Dibrani duke vlerësuar librin shprehet se autori ka strukturuar poezinë me kujdes, ndërsa nëpër vargje ndeshen mendime metaforike, të cilat qesin ne pah fuqinë shpresëdhënëse duke dëshmuar një nivel të poezisë të realizuar mirë.

“Kjo tufë poezish na bënë për të kuptuar së shprehjet poetike janë shndërruar në vlerë estetike, ndërsa poezia mbetet një relikte e cila qartëson dimensionin krijues si ne rezultat që vjen nga gërshetimi i përvojave krijuese në mes kulturave, dijeve dhe arritjeve të gjithmbarshme”, shprehet Dibrani si recensent i librit.

Ndërsa në vlerësimet e tyre, Bertill Galland shkrimtar dhe kritik letrar zviceran, autorin e cilëson si muzicient të fjalëve dhe drejtues i një përvoje personale përmes së cilës lexohet historia dhe ekzistenca e një populli. Galland e radhit autorin Makolli në mesin e krijuesve më të mirë evropian të kësaj kohe.

“Duke peshuar mirë fjalët e mia mund të them se krijimtaria e tij mund të radhitet në mesin e shkrimeve më të mira lirike evropiane të kohës sonë”, vlerëson Galland.

Derisa publicist Ramiz Kelmendi shprehet se poezitë në “Pika që shpon gurin”, janë të fuqishme shprehëse, të cilat lexuesin e fusin në botën e autorit.

Ndryshe autori ka pasur pasion letërsinë dhe filozofinë shkruan në të dy gjuhët shqipe dhe frënge. Deri tani ka shkruar “Mos qaj/Ne pleure pas” bashkautor me Lilian Perrin (1995), “Lahuta e Këngës Time”, Un Marié Sans importance” bashkë me shkrimtaren Liliane Perrin, me parathënie nga Ismail Kadare, roman i nderuar me dy çmime letrare në Francë dhe Kanada në vitin 1994 dhe 1995.

Tani ka në dorëshkrim përmbledhjen poetike në dy gjuhët shqip-frëngjisht me titull të përkohshëm “Udhëtimi”.

Autori Shemsi Makolli ka lindur në vitin 1966 në fshatin Marevc të Prishtinës. Nga viti 1990 emigroi në Zvicër ku jeton dhe punon.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme