Piktura e zhdukur njëqindvjeçare e Monetit rikthehet në Japoni

Prishtinë | 28 Shk 2018 | 09:26 | Nga

Një pikturë e Claude Monet, e cila i përkiste një koleksionisti japonez dhe ishte zhdukur prej disa dekadash, u rigjet në Luvër në Paris dhe tashmë po rikthehet në Japoni, njoftoi Muzeu Kombëtar i Artit Perëndimor të Tokios.

Piktura, një krijim i vitit 1916 në serinë e famshme të zambakëve të ujit të mjeshtrit impresionist francez, siç transmeton ATSH raportimin e AFP-së, u zbulua në Muzeun e Luvrit në vitin 2016, edhe pse ky fakt nuk u bë publik në atë periudhë, sqaroi për median një zëdhënës i muzeut japonez.

Kjo pikturë po i kthehet së fundmi Muzeut Kombëtar të Artit Perëndimor.

Thuajse gjysma e pjesës së sipërme të tablosë, rreth 4,2 metra e gjerë dhe 2 metra e lartë dhe që paraqet zambakë që pluskojnë mbi ujë, është plotësisht e dëmtuar. Një restaurim jashtëzakonisht i kujdesshëm i tablosë do të ishte i nevojshëm. Por ajo që bie në sy është përmasa e pikturës. Me kujdesin e duhur ajo do të ruajë vlerat për të dëshmuar punën e mrekullueshme të Monet.

Piktura i përkiste biznesmenit dhe artdashësit japonez Kojiro Matsukata, i cili kishte blerë një koleksion të veprave perëndimore mes viteve 1916 dhe 1927 në sajë të pasurisë së fituar në fushën e ndërtimit të anijeve.

Sipas muzeut, ai e kishte blerë tablonë drejtpërdrejtë nga Claude Monet në atelienë e tij në vitin 1921.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme