Portreti i Shën Terezës në Muzeun e Kosovës afër rekordit Guinness

Prishtinë | 21 Nën 2016 | 15:17 | Nga

Artisti Saimir Strati nga Shqipëria është duke punuar një mozaik me portretin e humanistes së madhe, Nëna Terezë, në një formë të veçantë.
Portreti është duke u punuar në Muzeun e Kosovës, me kapëse teli, në një dimension prej 10 metra katrorë. Me këtë vepër, ai synon të hyjë në librin e rekordeve të Guinniss-it.

Ky portretet i veçantë i nobelistes Nëna Terezë, tashmë e shenjtëruar nga Vatikani, sipas artistit Strati është një dedikim dhe mirënjohje për punën humane që ka bërë ajo.

Kurse, ideja për këtë formë mozaiku me anë të kapëseve, sipas tij, ka ardhur nga shpërngulja e refugjatëve dhe kalimi i telave gjemborë në kufij të ndryshëm.

“Dikur kam parë në televizor shpërngulje masive të refugjatëve nga Lindja e Mesme dhe nga lufta. Diku në një qytet të Evropës kishte disa tela me gjemba që i pengonin. Dhe, aty mendova se vetëm Nena Terezë mund t’i shpëtonte këta njerëz”.

“Atëherë u bë ideja ime për ta bërë Nënën Terezë dhe materiali tashmë ishte gjetur, pra për të punuar diçka me tel.”

“Dhe më pas mendoj se janë bërë shumë akte për paqe, janë bërë shumë konferenca dhe shumë letra të kapura me telin dhe gjithë ky tel ka shkuar në dëm. Mendova që kjo do të jetë “Nëna Terezë”, do ta bëj në një dimension gjigant ashtu siç ka qenë, pavarësisht shtatit të shkurtër”, tha Strati.

Ai mendon të përdorë mbi 1 milion e 500 mijë tela të bardhë dhe ngjyrë kafe, të cilët do t’i përdorë për të përfunduar mozaikun i cili do të merr pamjen në 3D (tre dimensional).

Për këtë vepër, Strati beson se do të fitojë edhe një rekord të ri në Guinness. Ai, tashmë është bërë pjesë e librit të Guinniss-it me nëntë vepra tjera dhe pret që me mozaikun kushtuar Nënës Terezë të arrijë numrin jubilar, atë të dhjetin.

“Kjo është një teknike e re edhe për rekordet Guinness edhe për mua si artist dhe më duket shumë interesant për ta çuar më tej”, tha Strati.

Mbajtësi i 9 rekordeve Guinness, Sajmir Strati, thotë se në mozaik do të jetë e shkruar thënia shumë herë e përdoruar nga Nëna Terezë: – ‘Paqja mund të vijë edhe nga një buzëqeshje’.

Kurse, drejtori i Muzeut të Kosovës, Skënder Boshtrakaj, tha se nuk është e lehtë në këtë botë të madhe dhe sfiduese të arrish një numër kaq të madh rekordesh, siç i ka bërë artisti Strati.

Ai shprehu bindjen që rekordi i dhjetë i Saimir Stratit do të jetë i regjistruar në Muzeun e Kosovës.

“E bukuria e artistit Sajmir Strati është që në shumicën e rasteve nuk then rekorde, por vendos kategori të reja që janë rekorde dhe në këtë drejtim nuk është asnjë dilemë, sepse nuk ka vepër të tillë as para, as mbrapa, as anash; është një dhe e vetmja dhe e para në këtë kategori. Kështu që është e pa konkurrencë”, tha Boshtrakaj.

Mjeshtri i veprës nuk e mohoi faktin se kjo punë ka vështirësitë e veta, por siç thotë ai, veprat dhe punën i mat me kënaqësi.

Kjo vepër pritet të finalizohet në fund të muajit nëntor. /REL/

Të ngjashme