Prishtina shënon Ditën Botërore të Vallëzimit

Prishtinë | 29 Pri 2017 | 14:19 | Nga Jehona Zhuniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Me moton “Prishtina Vallëzon”, organizata “Evolucion Dance” me rastin e 29 – Prillit Ditës Botërore të Vallëzimit ka organizuar një program kulturor me vallëzime të ndryshme në shesh ku pjesëmarrës ishin grupe nga shumë komuna të vendit.

Kjo ditë sipas organizatorëve iu dedikohet qytetarëve të Prishtinës ku edhe kanë ftuar të gjithë t’i bashkohen këtij aktiviteti.

Organizatorja e këtij aktiviteti nga Evolucion Dance, Dafina Rudi ka thënë se nga viti 2011 e festojnë këtë ditë duke u mbledhur të gjitha shkollat e vallëzimit, raporton Ekonomia Online.

“Nga viti 2011 e festojmë këtë ditë duke u mbledhur të gjitha shkollat e vallëzimit në fusha të ndryshme me valle popullore, baleti, vallëzimi modern, hip-hop,  vallëzim latin. Veçantia e kësaj është se ne i bëjmë këto në hapësira publike me qëllim që qytetarët të na u bashkëngjiten dhe ku vallëzimet janë shumë të lehta për secilin”, ka thënë ajo.

Sipas saj, qëllimi i kësaj është që të paktën njëherë në vit të ketë një aktivitet. Ajo ka thënë se pjesëmarrës në këtë aktivitet janë shkolla të komunave të ndryshme.

Ndërsa valltarët që morën pjesë ishin mjaft të lumtur duke thënë se edhe Kosova ka djem e vajza që dinë të vallëzojnë.

Shqiponjë Grajqevci valltare nga “AKV Dëshmorët e Kombit”, nga Obiliqi tha se kanë ardhur që të marrin pjesë në shënimin e kësaj ditë ku edhe do t’i vallëzojnë dy valle.

“Sot do t’i vallëzojmë dy valle: atë të kolazhit dhe vallen festive. Ka edhe shumë vende të tjera që po marrin  pjesë si: Peja, Prizreni që kanë me vallëzuar vallëzime të tjera”, ka thënë ajo.

Kurse Dea Limani valltare e grupit “City Stars” tha se sot do t’i performojnë pothuajse të gjitha koreografitë.

“Sot kemi me i vallëzuar të gjitha koreografitë që i kemi pothuajse, sepse ka shumë ditë që jemi duke u përgatitur për këtë ditë dhe besoj se sot do të dalim të mahnitshëm. Duam t’iu tregojmë njerëzve që edhe Kosova ka shumë shkolla që dinë me vallëzuar dhe shumë vajza e djem që dinë me shpreh talentin e tyre”, ka thënë ajo.

Për nder të kësaj dite, në shumë vende të botës bëhen organizime të ndryshme nga shkollat e vallëzimit, profesionistë dhe amatorë, individ dhe grupe të ndryshme të artit të vallëzimit.

29 prilli – Dita Botërore e Vallëzimit është e shpallur dhe promovuar nga CID që nga viti 1982.

Të ngjashme