Promovohet libri “Elektroteknika” botuar nga UBT

Prishtinë | 19 Jan 2017 | 17:09 | Nga

“Elektroteknika” është titulli i librit i profesor Lutfi Bina, i cili u promovua në paraditen e kësaj të enjte në ambientet e UBT-së.

Libri është botuar nga UBT dhe përmban baza teorike dhe praktike të elektroteknikës.

Të pranishëm në këtë aktivitet ishin: rektori i UBT-së prof. dr. Edmond Hajrizi, autori i librit prof. dr. Lutfi Bina, prof. dr. Ylber Limani, familjar; miq të autorit, profesor; dhe studentë.

I pari që e mori fjalën ishte prof. dr. Edmond Hajrizi, i cili ndër tjerash tha: “UBT ka mbi 10 mijë studentë aktiv dhe pjesa më e madhe e tyre janë orientuar në fushën e inxhinierisë, shkencave kompjuterike dhe mekatronikës, të cilët pjesën bazike të studimeve e kanë mbi elektroteknikën”.

Në këtë kontekst, duke folur rreth mundësive të studimeve në këtë Institucion të Arsimit të lartë, ai shtoi: “Meqë studimet në UBT kryesisht zhvillohen në gjuhën shqipe, ka nevoja dhe kërkesa për një literaturë të tillë, prandaj, UBT ofron mundësi për studentët e tyre që të kenë literaturë në gjuhën shqipe”. Hajrizi më tutje theksoi se profesori Lutfi Bina ka bërë një punë të madhe, duke konkretizuar idenë dhe strukturën përmbajtjesore, dhe premtoi që UBT nuk do të ndalet së botuari dhe së afirmuari autorë të ndryshëm: “UBT, si gjithnjë është e gatshme për të përkrahur botimin e veprave të tilla, që Kosova dhe studentët kanë nevojë”. –tha në fund të fjalës së tij, prof. dr. Edmond Hajrizi.

Referuesi i dytë në këtë promovim, prof. dr. Ylber Limani, në fjalën e tij tha se kur flitet në cilësi të inxhinierit është kënaqësi e veçantë kur sheh që kolegu bën një transformim të dijes dhe sjell në pah atë që njerëzit do të përdorin më tutje për të përmirësuar kualitetin e jetës së tyre dhe të shoqërisë, për të shtuar, që: “Libri I profesorit Lutfi është një kontribut i drejtpërdrejtë në botën e shkencës dhe të kulturës.” Prof. dr. Ylber Limani theksoi se ky libër shfaq kontribut të madh në fakultetin e mekatronikës, i cili është fakulteti i vetëm dhe më i suksesshmi në regjion. Ai gjithashtu tha se ndihet i motivuar për t’i vazhduar shkrimet e tij dhe të kontribuojë në këtë pjesë të shkencës.

Autori i librit që promovohej, prof. dr. Lutfi Bina, fjalimin e tij e nisi me thënien se rusët ishin ata që bënin më shumë teori, ndërsa amerikanët më shumë praktikë. “Përvoja ime në prodhim dhe në industri më dha komoditet që të shprehem dhe të ndaj raste të ndryshme prej industrisë ku përfshihen lëmenjtë, si: mekanika, pneumatika, teknika, elektronika, matematika, etj.. Duke u mbështetur në faktin se në UBT dominon atmosfera e punës praktike, dhe duke iu përshtatur teorisë për të dhënë kontribut maksimal në industri, vendosa të shkruaj librin “Elektroteknika”. Uroj që studentët, inxhinierët dhe teknikët ta gëzojnë këtë libër, sepse është shumë i afërt me pjesën e praktikës, gjë që i bën më të aftë për tregun e punës”. -përmbylli fjalën e tij, prof. dr. Lutfi Bina pa harruar mirënjohjen dhe falënderimin drejtuar rektorit të UBT-së, prof. dr. Edmond Hajrizi për përkrahjen dhe gatishmërinë për botimin të këtij libri.

Pas fjalës së autorit pati edhe diskutime nga të pranishmit.

Vlen të theksohet, që pos këtij libri, UBT ka botuar rreth 50 libra të tjerë të autorëve kosovarë, kryesisht mësimdhënës në UBT, ndërsa Biblioteka e UBT-së ka mbi 200 mijë libra të autorëve të ndryshëm botërorë, dhe kjo bibliotekë edhe më tutje vazhdon të pasurohet me tituj të ri shkencorë.

unnamed (2)

unnamed (1)

Të ngjashme