Promovohet libri “Profeti nga Praga” i Musa Ramadanit

Prishtinë | 17 Qer 2017 | 15:17 | Nga Albulena Avdiu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani”, është promovuar libri “Profeti nga Praga” i Musa Ramadanit, fitues i çmimit “Kadare” për vitin 2017.

Juria e cila ia kishte ndarë këtë çmim Musa Ramadanit tha se kësaj radhe ky cmim shkoi në vendin e duhur në kohën e duhur tek autori i duhur, raporton Ekonomia Online.

Mirela Auktrova, autore dhe pjesëtare e jurisë së çmimit letrar “Kadare”, tha se me veprën “Profeti nga Praga” në mesin e veprave konkurrente e kanë pasur të lehtë ndarjen e çmimit.

Ajo tha se po të mos ishte Musa Ramadani në mesin e konkurrentëve ata do të kishin shumë vështirë për të vënë gishtin tek fituesi.

“Shtimi i numrit të konkurruesve dëshmon në cilësinë e vlerësimit të jurisë”, tha ajo.

Femi Cakolli, studiues, e vlerësoi lart veprën e Musa Ramadanit.

“Ashtu sikurse autorët e lashtë klasikët e antikitetit kishin normë që ta japin temën e veprës qa në fillim, kështu ka bërë edhe Musa Ramadani me veprën e tij. Përmes kësaj vepre ai kthen ose ringjall Franc Kafkën nga vdekja pas 41 vitesh të vdekjes së tij”, tha ai.

E vet autori i këtij çmimi, Musa Ramadani, duke u treguar modest tha se “unë jam veçse një ushtrues i detyrës”.

Ai ishte i impresionuar me ambientin e kësaj biblioteke, duke thënë se në këtë vend mund të luhet, këndohet, interpretohet dhe ekzekutohen veprat kamertale.

“Të gjithë ju jeni të dashurit e mi shokë shoqe bashkëpunëtorë kështu që unë e ndjej veten në një ndejë. Shumë bukur që u mbajt këtu. Ky ambient i përngjan një amfiteatri antik. Nëse drejtuesit e këtij institucioni do të kishin mirëkuptim së paku ta shqyrtonin një propozim që unë do ta quaja këtë ambient amfiteatri 101”, ka thënë ai.

Ai fjalën e tij e përfundoi me dy tri vargje të një vjershe.

Çmimi “Kadare” është akorduar nga instituti evropian dhe kap vlerën prej 10 mijë eurosh.

Të ngjashme