Regjisori Plakolli “kërcënon” ministrin Shala

Prishtinë | 09 Jan 2017 | 13:09 | Nga Kaltrina Zymberi

Temperaturat e ulëta nuk po e ndalin regjisorin Sokol Plakolli të vazhdojë grevën e tij para Teatrit Kombëtar.

Kjo është dita e tij e 10 që vazhdon të qëndrojë në grevë, në temperatura deri -18 gradë, por deri më tani nuk ka asnjë reagim nga institucionet kundër të cilave drejtohet protesta.

Plakolli për Ekonomia Online thotë se ka adresuar kërkesat për Ministrinë e Kulturës, për të cilat tha se ende nuk ka marrë asnjë përgjigje.

Kërkesa e tij kryesore është shkarkimi i Këshillit të Teatrit Kombëtar të Kosovës, pasi që sipas tij, ky këshill përbëhet nga njerëz të korruptuar dhe jolegjitimë.

Në rast se ministri i Kulturës, Kujtim Shala, nuk ndërmerr hapa konkret për rregullimin e gjendjes brenda Teatrit Kombëtar, ai thotë se do të kërkohet edhe shkarkimi i tij, për shkak të neglizhencës së pozitës së tij zyrtare.

Plakolli ka një porosi për ministrin Shala.

“Nuk po dua me u rebelua ministër, se është ditë feste sot. Por t’i dhe këshilltarët e tu që po të rrejnë e meritoni me u rebelua dhe me ardhë para ministrisë suaj për me ua rreh derën me çekan. Sepse në këtë teatër keni lejua me ardhë serbo-sllavë, të cilët përmes qeverisë serbe kanë për qëllim zbrazjen dhe bartjen e Kosovës”, ka thënë Plakolli.

Ai thotë se me këtë mënyrë të protestës ka edhe një qëllim tjetër, e ai është motivimin i qytetarëve të cilët kanë humbur besimin në institucionet e vendit.

“Ky është një motiv i mirë për qytetarët, pasi që ata kanë filluar të humbin motivin në institucionet e Kosovës. Me këtë rast ata janë solidarizua me mua. Dalja ime këtu është për qëllim të mbrojtjes të Teatrit Kombëtarë dhe parandalimit të sllavizmit të këtij institucioni I cili është institucioni më i lart kulturor i vendit”, tha Plakolli.

Ndërkaq artisti Plakolli paralajmëroi se grevën e tij nga e mërkura do ta vazhdojë para Ministrisë së Kulturës.

Ai tregoi që kauzës së tij i janë bashkangjitur edhe shumë të tjerë, por që regjisori Plakolli nuk ka lejuar që të jenë prezent fizikisht bashkë me të.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme