Revista “Diturija” e Lumo Skëndos, rikthehen thesaret e humbura

Prishtinë | 11 Tet 2018 | 09:37 | Nga Ekonomia Online

Në kremtimet e 110-vjetorit të Kongresit të Manastirit, Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, Fondacion Arsimor Kulturor Humanitar – ALSAR dhe Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” kanë promovuar dje botimin anastatik të revistës së mirënjohur kulturore e shkencore “Diturija”(1909-1927). Më këtë rast, sot mbahet edhe një konferencë shkencore, kushtuar kontributit të themeluesit të saj të shquar Lumo Skëndo dhe themelimi i revistës “Diturija”. Në konferencë, Prof. Dr. Xhevat Lloshi do të flasë për çështjet gjuhësore në revistën “Diturija” pas Kongresit të Manastirit, Prof. Dr. Luan Malltezi për sfidat e botimit të “Diturisë”, Prof. Dr. Persida Asllani për revistën e Lumo Skendos dhe misionin e dijes, Prof. Mark Marku për revistën në historinë e shtypit dhe shoqërisë shqiptare dhe Uran Butka për punën e bërë për botimin veprën e Mid’hat Frashërit.

Revista

Revista “Diturija” u themelua nga Lumo Skëndo (pseudonim letrar i Mid’hat Frashërit) menjëherë mbas përfundimit të Kongresit të Manastirit, kryetar i të cilit u zgjodh njëzëri 110 vjet më parë. Numri i saj i parë doli në Selanik më 1 janar të vitit 1909 dhe qysh në fillim spikati me frymën e thellë kulturore dhe informacionin dituror që do të rrugëtonte së bashku me revistën drejt një enciklopedie të mirëfilltë albanologjike. Pavarësisht mbylljes së saj mbas një viti, Lumo Skëndo e vijoi projektin e tij duke e botuar tri vite me radhë në Tiranë 1926-1929 (përveç 3 numrave që botoi në Bukuresht më 1916 që autori i konsideroi të humbur).

Nga përcaktimi “E përkohshme shqip literare dhe diturake” më 1909, revista do të shkojë drejt formulimit “E përkohshme shqiptare” (1926) pikërisht sepse thelbi i saj ishte dija mbi kombin, që për themeluesin e saj do të thoshte dashuri e pakushtëzuar për dijen e mbrujtur me dashurinë e pakushtëzuar për atdheun. “Diturija” e Lumo Skëndos shfaq simbiozën e rrallë të nocionit të dijes, diturimit dhe atij universal të atdheut. Ajo e lidh njeriun individual me tërësinë e entitetit kombëtar, përmes të cilit ai shndërrohet në “njeriun në botë”, në qenien universale.

Revista “Diturija” mbetet shprehja më e plotë e profilit intelektual të Lumo Skëndos. Në të ai zhvilloi linja të gjera studimore duke ndërtuar korpus të mirëfilltë albanologjik në çështje të historisë, të udhëpërshkrimeve, të dëshmive, të gjuhësisë shqipe e drejtshkrimit, të bibliografisë etj. Ndër to spikasin cikli “Udhëtarët e huaj në Shqipëri”, rubrikat “Shtim në rradhojtë e Legrandit”, “Duke lexuar një libër”, “Tribuna gramatike dhe gjuhësijë”, biografi të shumta, vëzhgime zakonore, dëshmi historike si dhe shkrime me interes të veçantë mbi historinë e besimeve dhe kultit ndër shqiptarë etj.

Botimi anastatik i saj në prag të 110–vjetorit të Kongresit të Manastirit sjell në vëmendje faktin se për nga rëndësia e dijes që ajo përcolli “Diturija” është tashmë në një monument kulture, themelet e të cilit u hodhën në vitin e largët 1909 për t’u shndërruar në ngrehinën madhështore të dijes dhe “bujarisë së dijes” gjatë viteve 1926-1929. Bashkë me ‘Albaninë’ e Konicës dhe me plejadën e simotrave të saj gjatë viteve ‘20-‘40 të shekullit të kaluar (Hylli i Dritës, Zani i naltë, Leka, Shkëndija, Përpjekja shqiptare, Minerva) këto revista përbëjnë një nga entitetet themelore të kulturës së shkruar shqipe.

Ky botim vjen si frut i bashkëpunimit të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë me Fondacionin ALSAR si dhe me Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, e cila do të mirëpresë në Prishtinë në javët e ardhshme promovimin dhe konferencën kushtuar “Diturisë” dhe themeluesit të saj Lumo Skëndo.

Ky botim anastatik u organizua në dy vëllime të hijshme: Vëllimi I: janar 1909 – tetor 1927 dhe Vëllimi II nëntor 1927 – dhjetor 1929.

Natyra anastatike e tij sjell në të tashmen tonë vullnetin e autorit, botuesit, pse jo edhe shijen, finesat apo trillet e tij njerëzore. Por mbi të gjitha mundëson një lexim tërësor, një rrokje të plotë të të gjithë koleksionit të çmuar të “Diturisë” si për lexuesin e pasionuar ashtu dhe për studiuesin e ardhshëm të një prej personaliteteve dhe të një prej veprave më monumentale të jetës kulturore e shkencore kombëtare.

Eshtrat e Mit’hat Frashërit

Qeveria shqiptare ka marrë vendimin për kthimin në atdhe të eshtrave të Mid’hat Frashërit, patriotit, personalitetit të shquar të kulturës e të letrave shqipe, firmëtarit të pavarësisë dhe kryetarit të Kongresit të Manastirit. Eshtrat e personalitetit të shquar do të kthehen në atdhe gjatë javës përkujtimore të 110-vjetorit të Kongresit të Manastirit, me një ceremoni shtetërore që do të mbahet nga 14-22 nëntor 2018″, sipas vendimit të qeverisë shqiptare të firmosur nga kryeministri Edi Rama. Kërkesa për kthimin e eshtrave të Mid’hat Frashërit në atdhe, ka qenë e Institutit të Studimeve “Lumo Skëndo”, sipas kryetarit të këtij instituti, Uran Butka. Për ceremoninë e kthimit të eshtrave, qeveria ka akorduar edhe një buxhet shtetëror me një fond prej 3 239 400 (tre milionë e dyqind e tridhjetë e nëntë mijë e katërqind) lekësh. Më 3 tetor të vitit 1949, ora 09.25 në Nju Jork, ndërroi jetë Mid’hat Frashëri, shërbestari i Shqipërisë. Sipas autopsisë që iu bë në spital, u konstatua se vdekja i ishte shkaktuar nga i infarkti miokardit.

Ekziston edhe një variant i dytë i mundshëm, se infarkti i është shkaktuar nëpërmjet ilaçeve apo mënyrave të tjera nga ana e agjentëve të KGB ruse, që vepronin kundër Komitetit “Shqipëria e Lirë”, me qendër në Nju Jork. Mid’hat Frashëri ishte kryetar i Komitetit “Shqipëria e Lirë” ose qeveria në mërgim, e mbështetur nga qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Mendohet se për vdekjen e papritur të Mid’hat Frashërit ka gisht Kim Filbi, agjenti i dyfishtë, i cili ishte në Londër në shtator të vitit 1949, kur Mid’hat Frashëri shpalli Komitetin “Shqipëria e Lirë” dhe njëkohësisht Kim Filbi gjendej në Nju Jork, kur Mid’hati u vendos atje. Është e mundur që ai të jetë asgjësuar nëpërmjet Kim Filbit nga Sigurimi Sovjetik, në bashkëpunim me Sigurimin Shqiptar, ashtu siç u veprua edhe me disa personalitete antikomuniste të Lindjes si Bandera, Markov etj. Trupi i Mid’hat Frashërit u varros me nderime në Nju Jork. Një varr i thjeshtë, mes barit e luleve, me mbishkrimin e vetëm: Mid’hat Abdyl Frashëri, 1880-1949.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme