Sahatçiu nderohet për vepër jetësore, Zeqiri merr çmimin vjetor

Prishtinë | 27 Gus 2018 | 11:48 | Nga Besjana Bajrami Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) ka organizuar ceremoninë e ndarjes së çmimeve në fushën e kinematografisë.

Regjisori e skenaristi Besim Sahatçiu është nderuar post mortum me çmimin kombëtar për veprimtari jetësore “Bekim Fehmiu”; ndërsa regjisorja Blerta Zeqiri është laureate e çmimit vjetor për kinematografi, për suksesin e arritur me filmin “Martesa”.

Ministri i MKRS-së, Kujtim Gashi, tha se përkrahja e ministrisë për artistët do të vazhdojë, raporton Ekonomia Online.

“Ju uroj për çmimet. Besoj që kemi pasur një juri profesionale për t’u ndarë çmimet. Ne jemi të përkushtuar që të motivojmë punën e artistëve dhe në kuadër të këtij qëllimi do të vazhdojmë të japim shpërblime e çmime”, tha Gashi.

“Jam tejet i bindur që vendimmarrja e jurisë ka qenë e duhur dhe profesionale. Në emër të ministrisë ju falënderoj për punën dhe kontributin”.

Besa Sahatqiu, bashkëshortja e Besim Sahatqiut, e vlerësoi ndarjen e këtij çmimi.

“Faleminderit shumë për çmimin. Ju përgëzoj të gjithëve për këtë mirënjohje. Mua si e shoqja e tij mu duke sikur jemi lënë anash. Bekimi dhe Besimi kanë qenë shokë dhe kolegë”.

Blerta Zeqiri, laureate e Çmimit Vjetor për Kinematografi, falënderoi ministrinë, derisa porositi që përkrahja të vazhdojë

“Do të doja t’ju falënderoja përzemërsisht, jo vetëm pse është vetëm vlerësim i punës time. Lajmin e kam marr te premten dhe jam shumë e gëzuar. Ministria është duke bërë punë shumë të mirë në përkrahjen e kinematografisë. Jam e lumtur që buxheti për kinematografinë është rritur dhe shpresoj që do të rritet ende”.

Fadil Hysaj, anëtar i jurisë, tha se vendimi për ndarjen e këtyre çmimeve ishte e lehtë për shkak të punës së shkëlqyer të fituesve të çmimit.

“Juria ka pasur punën më të lehtë që ka pasur ndonjëherë për këtë vendim. Shumë shpejt kemi mbaruar punë dhe kemi ardhur deri në një përzgjedhje që është më meritorja e mundshme. Me Besim Sahatçiun, në mandatin e tij kreativ kinematografik, filmi shqiptar ka marr dimensione serioze”, tha regjisori Hysaj.

“E Blerta Zeqiri përfaqëson brezin e ri të kinematografisë dhe që në fillimet e saj ka shënuar suksese. Unë e njoh punën e saj”, shtoi ai.

Juria për përzgjedhjen e fituesve ishte në këtë përbërje: Isa Qosja, Fadil Hysaj, Ardiana Pajaziti, Fatos Berisha dhe Kimete Berisha.

Të ngjashme