Shënohet Dita Ndërkombëtare e Monumenteve dhe Lokaliteteve

Prishtinë | 18 Pri 2018 | 13:05 | Nga Valbona Bytyqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Botimet arkeologjike do të ndihmojnë në dokumentimin e të kaluarës së Kosovës. Kështu tha ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi në promovimin e botimit të Institutit Arkeologjik “Harta Arkeologjike e Kosovës, Vëllimi i tretë” me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Monumenteve dhe Lokaliteteve.

Gashi më tutje tha se vëllimet e botuara deri më tani janë pikënisje e studimeve më të thelluara shkencore që duhet të bëhen, raporton Ekonomia Online.

“Jemi së bashku për të propozuar tri botimet e Institutit Arkeologjik të Kosovës. Puna e Institutit Arkeologjik ka mundësuar në vazhdimësi dokumentimin e të kaluarës sonë. Harta arkeologjike përfshin pjesë të arkeologjisë së Anamoravës në 10 komuna.Ky botim paraqet një përmbledhje të strukturuar të materialit arkeologjik. Materiali i evidentuar i luajtshëm dhe i paluajtshëm krijon një pikënisje për studime më të thelluara shkencore”.

Shafi Gashi, arkeolog, tha se botimi i këtij vëllimi është rast i veçantë.

“Sot është një rast i veçantë që harta arkeologjike po botohet me rastin e Ditës Ndërkombëtare të monumenteve dhe lokaliteteve arkeologjike. ‘Harta arkeologjike, Vëllimi i tretë’ është një punë intenzive pas vëllimit të parë … dhe tani kemi sot para jush botimin e tretë e cila hartë ngërthen një territor që përfshin pjesën lindore dhe juglindore të Kosovës”.

Ndërsa drejtori i Institutit Arkeologjik të Kosovës, Enver Rexha bëri të ditur se vëllimi i katërt për të cilin është duke u punuar do të përmbyll në tërësi territorin e Kosovës. Ai tha se përmes këtyre botimeve kanë ndihmuar në krijimin e një identiteti kulturor arkeologjik, raporton EO.

“Vëllimi i katërt do të përmbyllë territorin e Kosovës. Ne kemi krijuar një identitet kulturor arkeologjik”.

Në shënim të kësaj dite, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ndau tri mirënjohje për përfaqësuesit e familjeve të cilat kanë dhënë kontribut në fushën e trashëgimisë arkeologjike duke i dhuruar gjetjet arkeologjike.

Mirënjohjet u ndanë për familjen e Faik Islamit nga fshati Gllamnik – komuna e Podujevës,’familjen e Hamdi Ibishit nga fshati Orllan – komuna e Podujevës dhe për familjen e Prend, Nikollë e Pjetër Heqimit, fshati Zllakuçan – komuna e Klinës.

Të ngjashme