Shkrimtari Ramadan Mehmeti pasuron Bibliotekën e Gjilanit me mbi tre mijë libra

Prishtinë | 13 Pri 2018 | 14:05 | Nga

Shkrimtari Ramadan Mehmeti bibliotekën e tij personale me mbi 3 mijë e 200 libra ia ka dhuruar bibliotekës së qytetit “Fan Noli” të Gjilanit. Ramadani, që më 2013 ishte shpallur fitues i çmimit letrar “Beqir Musliu”, ka deklaruar se dhurimi i bibliotekës së tij personale është bërë për interesin publik dhe se e ka ndier veten borxhli në këtë aspekt.

Qëllimi i tij është pasurimi i fondit librar të bibliotekës së qytetit “Fan Noli” në Gjilan. Këto deklarime shkrimtari i ka bërë të enjten në bibliotekën “Fan Noli”, me rastin e hapjes së këndit të bibliotekës së tij, ku të gjithë lexuesit do të kenë qasje në librat që i ka dhuruar. Shkrimtari ka përmendur problemet e epokës digjitale e cila, sipas tij, po e ngacmon librin fizik.

“Të gjithë krijuesit letrarë kudo në botë ëndërrojnë që librat e tyre t’i kenë në biblioteka dhe sot e ndiej veten të gëzuar e të lumtur shumëfish. Biblioteka ime modeste e ndiej që ka dalë nga një përdorim personal i leximit dhe i jepet dhuratë leximit publik”, ka thënë ai.

Hapja e këndit-biblioteka e shkrimtarit gjilanas Ramadan Mehmeti është bërë në kuadër të aktiviteteve të edicionit të 16-të të “Javës së Bibliotekës në Kosovë”, që nisi të martën në Prishtinë.

Të ngjashme