Shtëpia e Lasgush Poradecit, pikë takimi për njerëzit e artit

Prishtinë | 14 Nën 2017 | 10:09 | Nga

Shtëpia e Lasgush Poradecit nuk është thjesht një pikë pelegrinazhi në emër të Lasgushit, ndaj dhe po negociohet për finalizimin e një projekti që synon ta kthejë në një pikë takimi për njerëzit e artit.

Në 30-vjetorin e ikjes së poetit, ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro mori pjesë në një ceremoni homazh për poetin si dhe vizitoi ambientet e shtëpisë së poetit Lasgush Poradeci, duke diskutuar me pronarin e banesës për të finalizuar një projekt për jetën e veprën e Lasgush Poradecit.

Kumbaro vizitoi edhe Qendrën Historike të Pogradecit. “Është vetëm fillimi, sepse është pjesë e një projekti më të gjerë, që është qendra historike e Pogradecit, e shpallur në vitin 2015 nga qeveria shqiptare, e cila do t’i nënshtrohet rijetëzimit dhe restaurimit siç ka ndodhur me Korçën”, shtoi Kumbaro.

Sipas ministres, “identifikimi i thekseve të rëndësishme kulturore brenda qendrës historike të Pogradecit, ku bën pjesë edhe shtëpia e poetit është një ndër gurët kilometrikë që duam të ecim”.

“Të lexosh sot Lasgush Poradecin do të thotë të rigjesh brenda vetes potencialin e pashtershëm të artit dhe të dashurisë, të cilat ai i sillte si forca e përjetshme e universit” pohoi Kumbaro, në ceremoninë që u zhvillua në qytetin e tij të lindjes, Pogradec. Ministrja Kumbaro e cilësoi Poradecin si lirikun më të madh të shekullit të kaluar, si poeti i parë modern shqiptar dhe liriku më i madh i shek. XX. Lasgush Poradeci nuk e reshti kurrë kërkimin: kërkim i përhershëm, liri në shprehje, liri në shkrim; liri në mendje e liri në zemër”.

“Të gjithë marrin jetë prej flakës që ndrin, asnjë s’kujton zjarrin që pat djegur. Sepse poeti nuk rron jetën e vdekur të vet, po jetën e pavdekur të Kombit të vet”… Sipas Kumbaros, këto janë fjalët e Lasgushit që dëshmojnë pse mblidhemi për ta përkujtuar atë dhe poezinë e tij”. “Sepse i këndoi shpirtit të kombit të tij, të atij që siç thoshte vetë, e bën një komb të pavdekshëm, se vetëm shpirti mbetet i dlirë e nuk përshtatet”, shtoi ajo.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave solli ekspozitën homazh në 30-vjetorin e vdekjes së poetit, e pasur me dorëshkrime dhe foto nga jeta e poetit. Ministrja Kumbaro, e cila prezantoi edhe Klubin e Librit në qytetin e Pogradecit theksoi rëndësinë e leximit të poetit në ditët e fushatës kombëtare “Takohemi për një libër” duke komunikuar me të rinjtë e pranishëm në sallë.

“Edhe këto javë që siç jeni në dijeni, kur e gjithë Shqipëria e veçanërisht rinia shqiptare është përfshirë nga pasioni i bukur i fushatës së leximit “Takohemi për një libër”, janë me dhjetëra rastet e tubimeve dhe leximeve ku shqiptohet me ëndje poezia e papërsëritshme e Lasgush Poradecit”, tha Kumbaro

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme