Vdiq shkrimtari i famshëm hungarez Péter Esterházy

Prishtinë | 15 Kor 2016 | 16:20 | Nga

Lajm i trishtuar për botën letrare: Shkrimtari i njohur hungarez Péter Esterházy vdes në moshën 66 vjeçare nga sëmundja e kancerit.

Bota e letërsisë e dinte që shkrimtari i njohur vuante nga sëmundja e kancerit. Vetë Péter Esterházy kishte folur për këtë publikisht që nga tetori i shkuar, sëmundjen e kishte trajtuar edhe nga nga ana letrare. Megjithatë lajmi i vdekjes së tij erdhi papritur nga agjencia e lajmeve, MIT, e cila i referohej familjes së shkrimtarit.

Péter Esterházy lindi në 14 prill 1950 në Budapest në një nga familjet më të vjetra aristokrate të Hungarisë. Në vitet e diktaturës komuniste familja e internua në një fshat të humbur. Ndërkohë që gjyshi i Esterházyt ishte kryeministri hungarez i viteve 1917-1918, vetë Péter Esterházy studioi matematikë dhe punoi si administrator në një institut për përpunimin e të dhënave, derisa zbuloi letërsinë si profesionin e vetëm të tij dhë në vitin 1978 vendosi të jetonte nga profesioni i lirë i shkrimtarit.

Vëzhgues kritik i shoqërisë

Romanet e Péter Esterházy gjithmonë ruanin një ton kritik shoqëror, e në mes të rreshtave ato ishin edhe politikë. Vepra kryesore e shkrimtarit konsiderohet “Harmonica Caelestis”, një kronikë familjare për dinastinë familjare Esterházy, vepër e publikuar në vitin 2000, por që dy vite më vonë ai e përmirësoi me një tjetër – “Vepër e përmirësuar”.

Në vitin 1999 ai u nderua me Çmimin Shtetëror të Austrisë për Letërsinë Europiane, ndërsa në vitin 2004 me Çmimin e Paqes të Librarive Gjermane në Frankfurt për përshkrimin letrar të transformimit në Europën Lindore. Historitë e Péter Esterházyt trajtojnë historinë e Europës dhe veçanërisht të familjes së tij të varfëruar. Péter Esterházy ka jetuar disa kohë në Gjermani, por së fundmi në qytetin e tij të lindjes në Budapest, që në vitin 2009 e shpalli qytetar nderi. Ai lë pas gruan dhe katër fëmijë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme