Zharku: “Shok” ktheu vëmendjen e botës nga Kosova

Prishtinë | 21 Dhj 2016 | 12:49 | Nga Kaltrina Zymberi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kulmi i suksesit të këtij viti për Qendrën Kinematografike të Kosovës (QKK) padyshim është nominimi i filmit “Shok” për Oscar. Kjo ngjarje i dha një vëmendje të madhe në botë filmit dhe vendit tonë sidomos nga prezenca e ekipit dhe e dy aktorëve të vegjël në tepihun e kuq të ceremonisë së ndarjeve të çmimeve.

Kështu ka thënë, Arben Zharku, drejtor i QKK-së gjatë prezantimit të aktiviteteve dhe sukseset që e kanë përcjell industrinë e filmit kosovar në vitin 2016.

“Ky vit ka qenë i ngarkuar me shumë aktivitete, por ajo që na ka bërë krenar ka qenë nominimi i filmit ‘Shok’ për oskars. Kjo ka ndryshuar dhe kthyer vëmendjen e botës tek Kosova dhe ekipeve të filmbërësve”, ka thënë Zharku, raporton Ekonomia Online.

Ai ka falënderuar Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve për ndarjen e bursave për studentët e filmit që të mund të studiojnë jashte Kosove.

Përveç këtij suksesi Kosova edhe këtë vit ishte pjesë e festivaleve të kategorisë “A” dhe të festivaleve tjera ku veçohet: filmi “Home Sweet Home” nga Faton Bajraktari me premierë ndërkombëtare në Karlovy Vary, “Drums of Resistance” nga Mathieu Jouffre dhe Besa Luci me premierë në Sarajevo Film Festival, “Eho” nga Dren Zherka me premierë në Montreal World Film Festival, ku edhe fitoi çmimin “Silver Zenith for the First Fiction Feature Film”, si dhe premiera e filmit të shkurtër “Home” nga More Raça në  Raindance Film Festival.

Gjatë këtij viti QKK ka vazhduar prezantimin në festivalet më të mëdha, me qëllimin e promovimit të filmave kosovar në tregjet e filmit si: festivali Berlinale ku u shfaq filmi “Babai” nga Visar Morina në programin Lola@Berlinale, pastaj Cannes, American Film Market etj.

Gjatë këtij viti, rreth 18 filma në kategori të ndryshme kanë filluar xhirimet ndërsa 12 filma kanë pasur premierën kombëtare/ndërkombëtare. QKK në vitin që vjen do të vazhdoj mbështetjen dhe promovimin e filmave të saj në tregjet më të mëdha të filmit dhe do të ruaj prezencën e saj në festivalet e mëdha si: Festivalit i Filmit në Berlin, Cannes, Karlovy Vary, Tribeca Film Festival, Sarajevo Film Festival, Antalya Golden Orange Film Festival, Vilnius Film Festival etj.

Të ngjashme